Botë

Zgjidhet kriza politike në Malin e Zi

20.07.2022 19:20

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Dritan Abazoviç gjetën gjuhë të përbashkët....

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Dritan Abazoviç gjetën gjuhë të përbashkët për mosmarrëveshjet duke shmangur rrëzimin e qeverisë. Në një takim konsultues në Podgoricë, ata adresuan shqetësimet për marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, për të cilën vendosën të kërkonin mendimin e ekspertëve ligjorë dhe shkencorë përpara miratimit dhe vendosjes së saj në zbatim.
 
“Bashkërisht u vlerësua se është në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes europiane ruajtja e stabilitetit politik dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, në mënyrë që vendi kandidat për anëtarësim në BE, në një kohë sa më të shkurtër të përmbushë detyrimet që dalin nga agjenda europiane.”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Malit të Zi.
 
Kjo nënkupton që deputetët e partisë së Gjukanoviç, në opozitë, do të vazhdojnë ta mbështesin qeverinë e Abazoviç me votë në parlament, por pa marrë pjesë në të.