Maqedoni

Rasti me spitalin “Zhan Mitrev”, Qeveria miratoi informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë

21.07.2022 13:25

Qeveria shqyrtoi dhe miratoi “Informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë për aktivitetet e ndërmarra në lidhje....

Qeveria shqyrtoi dhe miratoi informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë për aktivitetet e ndërmarra në lidhje me storien e publikuar të IRL-së ku dyshohet se janë kryer eksperimente shëndetësore gjatë trajtimit të pacientëve të prekur me Kovid-19 në Klinikën “Zhan Mitrev” në Shkup, duke mos ua mundësuar terapinë e duhur anti-kovid.
 
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar Qeverinë se nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor  është kërkuar që të bëjë një kontroll të jashtëzakonshëm në Spitalin Klinik “Zhan Mitrev” në Shkup lidhur me zbatimin e dispozitave të raportimit të detyrueshëm dhe të infeksioneve intraspitalore si zbatimi i dispozitave nga Ligji për evidencat në fushën e shëndetësisë si dhe mbikëqyrja e plotë inspektuese sipas kompetencave ligjore të Inspektoratit. Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kërkuar edhe raport për inspektimet e rregullta dhe të jashtëzakonshme të kryera në spitalet private në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën e vitit 2019 deri në korrik të 2022. 
 
Në ndërkohë, edhe PTHP heton këtë rast, pa treguar deri tani asnjë informacion se deri ku ka arritur procedura e ngritur parahetimore. Thonë vetëm se po punojnë në vërtetimin e fakteve dhe se është herët për të menduar dhe treguar se a duhen ndërmarrë masa më të ashpra ndaj përfaqësuesve të Klinikës “Zhan Mitrev” për të mos i dëmtuar hetimet.  
 
Hulumtimi i IRL-së zbuloi se si pacientët ishin detyruar t’i nënshtroheshin filtrimit të gjakut si terapi anti-Kovid në “Zhan Mitrev”, e paguar nga 3 mijë deri në 5 mijë euro, duke pretenduar jetën e re, metodë e jashtëligjshme dhe jo e konfirmuar se kuron pacientët nga Kovid-19 dhe e cila ka infektuar shumë pacientë me bakterie vdekjeprurëse. 
 
REXHEP QAMILI