Maqedoni

Bojan Mariçiq: Prezanton skriningun dhe afatet e kompletimit

21.07.2022 14:27

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq, prezantoi punën prej një vit e gjysmë të analizës së skriningut...

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq, prezantoi punën prej një vit e gjysmë të analizës së skriningut, deri në mbajtjen e konferencës së radhës ndërqeveritare me unionin. Bisedimet me BE-në i filluan sipas asaj që u premtua në opinion - me mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit, tha Mariçiq. Faktikisht dhe juridikisht, sipas tij, procesi i bisedimeve ka filluar me 19 korrik, ndërsa tani duhet të përgatitet skriningu.
 
“Fillimisht operacionalizimin e vendimit për fillimin e bisedimeve - skriningu. Kemi marrë obligime në suaza të bisedimeve me Bullgarinë që është pjesë e propozimit francez, deri në konferencës e radhës, respektivisht deri në hapjen e kapitujve, t'i vendosim në preambulën e kushtetutës bullgarët, malazezët, kroatët, pra sipas angazhimit tonë.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Mariçiq prezantoi kornizën kohore të skriningut. Procesi i prezantimit të legjislacionit  do të fillojë nga shtatori ndërkaq paralelisht do të përgatitet edhe skriningu bilateral me BE-në, gjegjësisht Komisioni Evropian do të ketë pasqyrë ku gjendemi dhe çka duhet të bëjmë në vitet që pasojnë.
 
“Në këtë periudhë do të ketë komunikim intensiv mes institucioneve tona dhe shërbimeve të BE-së që veç më kanë filluar, ku do të këmbehen informacione, raporte, statuse të realizimit që kanë për qëllim që Komisioni të ketë pasqyrë sa më të qartë për atë që ndodh në RMV në këto fusha, si dhe e njëjta të reflektohet në skriningun bilateral.”,- tha Mariçiq.
 
Sqarimi i skriningut për 6 kapitujt fillon  nga 15 shtatori dhe duhet të mbarojnë  pas një viti e gjysmë dhe në këtë periudhë sqarohet azhurnimi i ligjeve evropiane, ku përfshihen: vlerat fondamentale, tregu i brendshëm, konkurrenca dhe zhvillimi, agjenda e gjelbër, resurset dhe kohezioni i bujqësisë si dhe përmbledhja e fundit e ligjeve që ka të bëjë me  raportet e jashtme. Kjo e fundit duhet të ketë pasqyrim të qartë  deri nëntor të vitit 2023. Skriningu është një prezantim analitik i gjendjes në vendin kandidat për anëtarësim në union, gjegjësisht harmonizimi me të drejtën e Unionit Evropian dhe gjithashtu niveli i harmonizimit në implementimin e tij.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU