Maqedoni

Mickovski: Organet partiake do të diskutojnë referendumin

21.07.2022 14:51

Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së do të shqyrtojë çështjen e referendumit dhe zhvillimet tjera politike....

Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së do të shqyrtojë çështjen e referendumit dhe zhvillimet tjera politike dhe ekonomike në vend, njoftoi kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski. Ai tha se pret të dëgjojë nga Komiteti Ekzekutiv se çfarë, kur, si dhe çfarë lloji referendumit nevojitet vendit.
 
“Sot kemi seancë të Komitetit Ekzekutiv prej orës 19 dhe nesër do të mblidhet Komiteti Qendror, do të diskutojmë ngjarjet aktuale. Dëshiroj që Komiteti Ekzekutiv të prononcohet edhe për djegien e veturës së deputetit në Prilep. Prilepi këtyre ditëve i ngjan Bejrutit në rastin më të keq. Një automjet i ri është djegur sërish sot, gjegjësisht gjatë natës. Gjithashtu edhe për propozimin për deklarimin me referendum , të shohim se çfarë lloj referendumi, kur do ta nisnim, si do ta fillonim, në çfarë do të fokusoheshim etj.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: Mickoski në parti t'u kërkojë falje që ka gënjyer
 
Por, nga LSDM kanë porositur kreun e VMRO-PMNE-së të shfrytëzojë rastin që, në seancën e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, t'u kërkojë falje bashkëpartiakëve të tij që i ka gënjyer dhe manipuluar. 
 
“T'u kërkojë falje për gënjeshtrat për gjoja bullgarizim dhe asimilim. T'u kërkojë falje për manipulimet e sajuara për shitje të identitetit. Tu kërkojë falje atyre që tha se nuk do të fillojmë negociatat me BE-në me një gjuhë të mbrojtur maqedonase. T'u kërkojë falje atyre që në PPE pranoi që vendi ynë të përfaqësohej në mënyrë të turpshme me shkurtesën e targave. T'u kërkojë falje për të gjitha ofendimet, dhe sharjet që i bëri vetëm për të shpëtuar karrierën e tij politike. Mickoski u ka borxh edhe një falje për skenarët e dështuar të përgjakshëm për shkaktimin e destabilizimit dhe konfliktit etnik në shtet, për përpjekjen për të bllokuar rrugën evropiane të vendit.”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
NAIM RAMADANI