Maqedoni
Faza e portokalltë, të mos dilet jashtë pa nevojë
21.07.2022 15:28
Me paralajmërimet për fazën e portokalltë e cila ka kapluar vendin nga dita e sotme...

Me paralajmërimet për fazën e portokalltë e cila ka kapluar vendin nga dita e sotme, organet kompetente rekomandojnë respektimin e masave për mbrojtjen e qytetarëve. Ndër të tjera apelojnë që mos të dilet jashtë pa nevojë nga ora 11 deri në orën 17 si dhe të lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë. Në rrugët e qytetit vërehen vetëm automjete. Të paktë janë qytetarët që lëvizin por ata thonë se janë të detyruar të dalin për shkak të obligimeve ditore.
“Mundohem mos të dal jashtë. Të respektoj atë që rekomandohet nga mjekët e të tjerë dhe personalisht për vete.”,- tha një qytetar.
“Kisha disa punë dhe nuk munda të dal më herët. Të blej diçka në market për darkë dhe pastaj në shtëpi e kam freskët dhe mirë.”,- u shpreh një qytetar.
“Shoh që sa më parë të ikë në shtëpi, pasi që pas orës 11 kanë filluar të rriten temperaturat.”,- theksoi një qytetar.
Kryqi i Kuq ofron ndihmë për qytetarët
Në këto temperature të larta deri në 40 gradë vullnetarët e Kryqit të Kuq kanë ofruar ndihmë për qytetarët. U shpërnda ujë në stacionet e autobusëve më të frekuentuara në kryeqendër si dhe I matën shtypjen e gjakut atyre që u ankuan në probleme shëndetësore.
“Ekipet e Kryqit te Kuq janë prezentë ne gjithë qytetin e Shkupit, ky aksion është më veç në ditën e katërt. do të vazhdojë deri ditën e enjte të javës tjetër. Deri tash janë shpërnda mbi 4500 shishe ujë. ekipet janë prezentë dhe janë në gatishmëri, në qoftë se është e nevojshme aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.”,- deklaroi Argjend Qilafi nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit.
Mjekët: Të sëmurët kronikë të kenë kujdes
Mjekët rekomandojnë që qytetarët të mbajnë rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura, të konsumojnë sa më shumë lëngje, të evitojnë ushqimet e yndyrshme dhe prodhimet e përpunuara termike. Kujdes të veçantë duhet të kenë të sëmurët kronikë.
“Ndihma e shpejtë ka shënuar rritje të thirrjeve të cilat lëvizin nga 250-300 gjatë kësaj periudhe. Në kuadër të thirrjeve të realizuara janë diku rreth 80 deri në 120 në bazë ditore. Popullata më e re është më pak e rrezikuar por nëse nuk respektojnë rekomandimet, në këtë rast edhe ata janë të rrezikuar. Kështu që të sëmurët kronikë dihet se në çdo kohë mundet të ju përkeqësohet gjendja për arsye të ndryshme.”,- thonë autoritetet.
Faza e portokalltë do të vazhdojë deri ditën e diel.
LEUNORA KALIQI
