Edhe 6.5 vjet burg për Fejzi Azirin

14.01.2015 17:09

Fejzi Aziri, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, përsëri mori sot një dënim shtesë nga gjykata, por kësaj here për një rast tjetër, për gjuajte në fermën “Belimbeg”....

Për atë vepër Aziri njëherë ka qenë i liruar, por pas ankesës së prokurorisë, gjykata e apelit e ktheu procesin në fillim dhe Fejzi Aziri duhet të vuaj edhe gjashtë vjet e gjysmë heqje lirie nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve. Gjykatësja e rastit mbylli gjykimin kundër tij duke e shpallur atë fajtor për incidentin e vitit 2009 që ndodhi në Belimbeg.

“Në mbështetje të nenit 396, paragrafi 2 i Kodit Penal lidhur me paragrafin një të këtij neni dhe pas shqyrtimit të provave të rastit, ky trup gjykues mori aktgjykimin me të cilin shpalli fajtor Fejzi Azirin, i cili për kryerjen e veprës penale “armëmbajtje pa leje” dhe “trafik armësh” dënohet me gjashtë vjet e gjashtë muaj heqje lirie. Fejzi Azirit i është vendosur t’i konfiskohen edhe armët që janë kapur pas incidentit. Ai gjithashtu duhet të paguaj edhe shpenzimet e procesit gjyqësor”- tha gjykatësja e rastit, duke mbyllur gjykimin disa muajsh për incidentin e ndodhur në vitin 2009.

Në dy gjykimet e mëparshme të të njëjtës lëndë ai ishte liruar nga akuza, gjë që shkaktoi reagimin e prokurorisë. Sipas të dhënave policore lidhur me incidentin e 2009-ës në Belimbegovë, në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 50 gëzhoja automatiku. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)