Maqedoni
Këshilli për gjuhën maqedonase, mbron deklaratën e njëanshme të MPJ-së
22.07.2022 15:05
Këshilli për gjuhën maqedonase pranë qeverisë ka vërtetuar pozicionet lidhur me deklaratën unilaterale...

Këshilli për gjuhën maqedonase pranë qeverisë ka vërtetuar pozicionet lidhur me deklaratën unilaterale për gjuhën maqedonase, të cilën Ministria e Jashtme e ka paraqitur në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.
Këshilli i udhëhequr nga profesori Ljudmil Spasov njofton se gjuha maqedonase është një vazhdimësi e bazuar në zhvillimin e veçantë të të gjitha dialekteve të saj, që janë të përhapura në të gjithë hapsirën e saj të të folurit, ndërsa gjuha standarte moderne bazohet në të folmen qendrore të dialektit perendimor. Por, nga ky këshill, nuk kanë sqaruar shtrirjen e dialekteve të gjuhës maqedonase, përgjigiën e së cilës e kërkojnë shkencëtarët dhe linguistët e gjuhës maqedonase.
“Gjuha standarte moderne maqedonase bazohet në të folmet qendrore të dialektit perëndimor, gjegjësisht në të folmet e boshtit Manastir- Prilep -Veles. Gjuha maqedonase është një gjuhë sllave që i përket grupit të gjuhëve sllave të jugut, e cila gjatë shekujve u rrit, u zhvillua dhe u ngrit në një gjuhë standarte kombëtare mbidialektore të popullit maqedonas... RMV kurrë nuk do të pranojë të diskutojë një zgjidhje të ndryshme për gjuhën maqedonase nga ajo që thuhet në Kornizën negociuese.”, thonë nga këshilli për gjuhën maqedonase.
Tema mbi dialektet e gjuhës maqedonase disa ditë konfrontohet mes gjuhëtarëve maqedonas dhe politikanëve, pasi që në deklaratën për gjuhën maqedonase thuhet se dialektet shtrihen vetëm në kufijt e sotëm të Maqedonisë së Veriut. Me këtë dokument që tashmë është bërë pjesë e procesit për integrim, nuk pajtohen gjuhëtarët maqedonas, të cilët thonë se dialektet e gjuhës maqedonase shtrihen edhe në kufijt ku kufizohet Maqedonia, ndërsa ca dialekte fliten edhe më larg.
Nga MPJ janë sqaruar se për shkak të kufizimeve lidhur me formatin dhe qëllimit të deklaratës së njëanshme, janë përmendur vetëm disa informacione dhe të dhëna që lidhen me vazhdimësinë gjuhësore, hapësinore dhe kohore të gjuhës maqedonase e cila ndër shekuj është rritur, zhvilluar dhe ngritur në gjuhë mbidialektore nacionale standard të popullit maqedonas si dhe vendin e saj të rëndësishëm në sllavistikën dhe shkencën gjuhësore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
