Maqedoni
Bekteshi: Po mobilizohemi për dimër të vështirë
22.07.2022 15:16
Shteti po mobilizohet për tu përballur me dimrin më të vështirë që na pret...

Shteti po mobilizohet për tu përballur me dimrin më të vështirë që na pret, theksoi ministri i ekonomisë Bekteshi. Periudha që vjen pritet të jetë mjaftë e vështirë, sidomos në pjesën e energjetikës. Hapat e ardhshme që do ti merr qeveria me qëllim të menaxhimit të kësaj situate janë shpallja e gjendje krize në sektorin energjetik si dhe gjetja e burimeve alternative për blerje të energjenseve.
“Nuk priten restrikcione të energjisë elektrike, edhe nëse kemi një ndalim të importit të energjisë elektrike dhe gazit në vend. Në muajin gusht do të kërkojmë sërish shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e energjisë elektrike për të pasur mundësi të ndërhyjmë përmes masave shtesë në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendase.”, tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Lidhur me furnizimin me gaz për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, ministri tha se po bëhen përpjekje që të ketë burime alternative të furnizimit, duke qenë se Maqedonia e Veriut është plotësisht e varur nga gazi rus.
“Nëse arrijmë në bashkëpunim me Bulgargastrans të çlirojmë një pjesë të kapaciteteve të gazsjellësit që kemi me Bullgarinë, i cili është plotësisht i marrë me qira nga Gazprom, atëherë do të jemi në gjendje të furnizohemi me gaz nga Azerbajxhani ose Turqia nëse Rusia ndalon furnizim me gaz për ne.”, tha Bekteshi
Bekteshi gjithashtu informoi se nga ana e BERZH janë siguruar 100 milion euro për likuiditetin SHA EMV që kjo ndërmarrje të ketë mjete për të blerë energji elektrike, nëse këtë do ta ketë të nevojshme gjatë vitit dhe qymyr për kapacitetet vendase. Ai në brifingun me gazetarët njoftoi edhe se Ministria e Financës po bën gati pakotë e reja të masave anti-krizë, të cilat pritet të zbatohen nga shtatori deri në fund të vitit dhe do tu dedikohen kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.
ERSAN PAJAZITI
