Tearcë, ministrat premtojnë realizimin e projekteve të rëndësishme
Ministrat shqiptarë të kabinetit qeveritar kanë vizituar Komunën e Tearcës për t’u njohur me punën që po bëhet dhe për të caktuar prioritetet dhe strategjitë e punës për të ardhmen...

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, theksoi se pushteti vendor është një prej prioriteteve kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke pasur parasysh se ky është pushteti që është më afër qytetarëve.
“Në këtë fillim-viti do të bëjmë edhe planet operative, që kanë të bëjnë me realizimin e projekteve që i ka prioritet komuna dhe do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë financiare, kapacitetet njerëzore për t’i dinamizuar këto projekte, që do të ketë një efikasitet më të mirë…. Duke pasur parasysh se Komuna e Tearcës është një komunë rurale, që kërkon një angazhim shumë të madh për t’u rrumbullakosur shumë projekte të cilat do të urbanizojnë në një farë kuptimi të gjitha vendbanimet, për të qenë më efikas në të ardhmen dhe për të qenë në shërbim të qytetarëve për të gjitha perspektivat që i ka Komuna e Tearcës”- deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Musa Xhaferi.
Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, ka marrë garanci nga pushteti qendror për mbështetje në realizimin e projekteve të ndryshme.
“Patëm rastin që drejtpërsëdrejti të informohemi bashkërisht lidhur me pushtetin vendor dhe pushtetin qendror. Funksionimi i ndërsjellë dhe në takim në vizitë pune ne i shqyrtuam të gjitha çështjet me prioritet në nivel të komunës, pra të pushtetit vendor, kështu që morëm garanci që në të ardhmen do të vijojmë në vazhdimësi atë që e potencoi edhe zëvendëskryeministri që ne jemi përcaktuar që si prioritet kryesor ta kemi kanalizimin në Komunën e Tearcës”- tha kryetari i Tearcës, Isen Asani.
Njëherit, ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë realizuar një takim pune edhe në Komunën e Bërvenicës, ku janë pritur nga kryetari, Enver Pajaziti. (Miftar Emini, TVM2)
