Ligji për Arsim, pakoja e ligjeve në shqyrtimin përfundimtar

14.01.2015 17:52

Kuvendi filloi miratimin e Pakos së Propozim-ligjeve të Qeverisë për Arsim. Deri në këto momente, kur debati po vazhdon, kuvendi i ka dhënë “dritën jeshile” disa propozimeve, siç ishte edhe Ligji për Formimin e Akademisë për Mësimdhënës....

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ka deklaruar se këto ligje kanë për qëllim rritjen e cilësisë së arsimit në vend në të gjitha nivelet, ndërsa fokusi vendoset tek studentët. Ademi ka theksuar se MASH-i edhe më tej është i hapur për të pranuar propozime të reja të cilat do të jenë të argumentuara.

“MASH jemi të vetëdijshëm se pas miratimit të këtyre ligjeve na pret një punë voluminoze për implementimin e të njëjtëve, sepse parashihen ndryshime të mëdha dhe me këtë rast do të kisha apelua deri tek të gjithë faktorët të cilët janë të kyçur në implementimin e këtyre ligjeve, që bashkërisht të angazhohemi në implementimin e tyre dhe të arrijmë qëllimin e përbashkët, atë që thashë më herët, ngritjen e cilësisë në arsim, por edhe përmirësimi i statusit të mësimdhënësve”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

PDSH-ja edhe sot ka kundërshtuar sjelljen e Pakos së Ligjeve për Arsim, duke deklaruar se këto ligje janë në favor vetëm të arsimit maqedonas.

“BDI-ja në tërësi dhe në rastin konkret ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, është në shërbim të politikave dhe interesave të VMRO-së dhe maqedonasve, me këto ligje as edhe një germë nuk është në interes të shqiptarëve, por ndodh e kundërta, maqedonizohet arsimi në tërësi”- tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Edhe në seancë plenare, Pakoja e Propozim-ligjeve për Arsim ka ngjallur debat të ashpër mes pushtetit dhe opozitës, kryesisht mes BDI-së dhe PDSH-së.

“Propozimet tona ishin fundamentale për kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Siç ishte kjo akademi të ketë dy përfaqësi, një në Shkup dhe një në Tetovë, Këshilli Programor dhe Këshilli Drejtues i Akademisë kur të themelohet të kihet parasysh përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, të punësuarit në akademi të njohin në mënyrë aktive edhe gjuhën shqipe, siç thuhet në ligj se duhet të njihet edhe gjuha maqedonase, veprimtaria të zhvillohet në të dy gjuhët dhe licenca të lëshohet në gjuhën amë”- u shpreh deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.

“E pavërteta se nuk do të mbahet mësimi në gjuhën shqipe nuk mban aspak, pasi në nenin 29, paragrafi 8, është përcaktuar se ligjëratat në akademi do të realizohen në gjuhën në të cilën do të realizohet mësimdhënia në gjuhën fillore dhe të mesme në RM-së, me çka plotësisht përdëftohet se do të kemi edhe përfaqësim profesional në të gjitha instancat e akademisë, përdëftohet gjithashtu se edhe mësimi do të mbahet në akademi për ata mësimdhënës ashtu si do ta mbajnë mësimin ata mësimdhënës, pastaj në shkollë fillore dhe të mesme”- theksoi deputeti i BDI-së, Ejup Rustemi.

Debat i ashpër u zhvillua edhe mes deputetëve të opozitës maqedonase dhe VMRO-DPMNE-së.

“Ligji, kolegë të nderuar, është në duart tona, ne do të vendosim nëse ky ligj, që është kundër kushtetutës, do të sillet, tani ne do të vendosim nëse do të mbesim pas lirisë dhe autonomisë së universiteteve ose do të veprojmë më ndryshe. Unë nuk kam legjitimitet nga qytetarët që të votoj për një ligj për të cilin thoni se është reformë, ndërsa arsyetimi për të është vetëm 5 rreshta”- deklaroi deputetja e pavarur, Roza Karevska-Topuzova.

“Në periudhën e fundit, për shkak të konformizmit të një numri të caktuar të profesorëve dhe për shkak të mënyrës me të cilën e kuptojnë punën e tyre, por edhe për një garë të caktuar në treg, del numri më i madh i diplomave dhe ka më pak njohuri dhe del mesatarja më e lartë dhe ka ende më pak dituri”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Edhe pse vazhdimisht opozita, por edhe Plenumi i Profesorëve dhe Studentëve akuzuan qeverinë për mungesë debati për ndryshimet ligjore, sipas numrit një të Arsimit, Abdylaqim Ademit, për këtë pako ligjore ka pasur më shumë debat se për çdo ligj tjetër. (Mefail Ismaili, TVM2)