Mickovski: Duhet të ketë referendum, vazhdojnë konsultimet
Kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan MickoskI....

Kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, konfirmoi se është i mendimit se për “propozimin francez” duhet të mbahet referendum, por ende vazhdojnë konsultimet se si do të jetë referendumi dhe pyetja.
Mickoski konsideron se kundërshtarë të referendumit janë pushteti dhe instalimet qeveritare në opozitë.
“Për sa i përket debatit në opinion, ka një situatë të çuditshme që duhet të konstatoj, e ajo është se kundërshtarët e shpalljes së referendumit të popullit janë qeveria dhe ato instalimet e pushtetit në opozitë. Është një situatë e çuditshme që i bashkon ato instalime të pushtetit në opozitë dhe mes popullit maqedonas dhe vetë qeverisë. Ndërsa të gjithë të tjerët, shumica dërrmuese e qytetarëve, pa dallim etnie, janë për referendum” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Mickovski shtoi se shumica e madhe e qytetarëve, janë pro një deklarate për referendum gjë që sipas tij e tregojnë edhe sondazhet. Ai tha se qytetarët duhet të jenë të qetë sepse ruajtës të identitetit dhe të Kushtetutës janë deputetët e VMRO-DPMNE-së së bashku me disa deputetë të tjerë në Kuvend.
LSDM, vendi është i gatshëm për negociata me BE-në
Nga ana tjetër nga LSDM thonë se pas 17 vitesh pritje realizohet një tjetër përcaktim strategjik siç është anëtarësimi i plotë në BE. Thonë se në BE hyjmë si maqedonas, të cilët flasin gjuhën maqedonase, me identitet të mbrojtur, veçori historike dhe kulturore ndërsa kërkesën e Mickovskit për referendum e cilësuan si manipulimin e tij të rradhës.
“VMRO-DPME kërkoi referendum për Marrëveshjen e Prespës, pastaj e bojkotuan. Ata mblodhën nënshkrime për referendum kundër regjistrimit dhe në fund hoqën dorë edhe nga kjo. Kërkesa e fundit e Mickoskit për referendum kundër konkluzioneve të Kuvendit, kundër formulimit të pastër të gjuhës maqedonase në BE, nuk është gjë tjetër veçse farsë e tij e dedikuar ekskluzivisht për nevojat e tij të brendapartiake.”, theksohet në reagimin e LSDM-së, nga ku shtojnë se nuk do të mbështesin referendum kundër gjuhës maqedonase në BE. (Ersan Pajaziti, TVM2)
