Ukrainë, raketat ruse shkatërrojnë portin e Odesës

24.07.2022 14:36

Forcat ukrainase po përparojnë gradualisht drejt rajonit Herson....

Forcat ukrainase po përparojnë gradualisht drejt rajonit Herson, i cili u pushtua nga Rusia në fillim të pushtimit të Ukrainës, tha presidenti i Ukrainës Zelenski. Ushtria ruse, e cila nisi ofensivën e saj nga Krimea, pushtoi zonën në fillim të marsit.

Sipas burimeve ukrainase, qyteti dhe porti i Odesës në Detin e Zi u sulmuan me raketa ruse, pas nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e eksportit të grurit ukrainas të bllokuar prej muajsh.

“Sulmi raketor rus në Odesa, në portin tonë, është cinik dhe ishte një goditje për pozicionet politike të vetë Rusisë. Ne shohim unanimitetin absolut të reagimit të botës ndaj kësaj goditjeje. Pushtuesit nuk mund të mashtrojnë më askënd. Ndër të tjera, si pasojë e kësaj goditjeje u dëmtua godina e Muzeut të Artit në Odesa, diçka që është një trashëgimi jo vetëm e kulturës ukrainase, por edhe e kulturës evropiane” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

“Fatkeqësisht ka persona të lënduar, si dhe është dëmtuar edhe infrastruktura e portit. Rusia është një vend me të cilin është e pamundur të bësh marrëveshje për diçka, dhe të gjitha marrëveshjet me ta nuk ia vlejnë as për letrën në të cilën janë shkruar” – u shpreh Shefi i Administratës së Odesas, Maksim Marçenko.

“Për herë të parë kam një ndjenjë të pakëndshme. Por falë Zotit kemi akses në një bodrum, dh aty ne zbritëm. Unë jam mjeke, zbrita me pacientët. Mjekët zbritën dhe shoqëruan pacientët. Në përgjithësi, gjithçka ishte e qetë. Por disa kishin frikë” – deklaroi një banore e Odesës.

“Raketat po fluturonin, pamë një që u rrëzua. U trembëm shumë, vrapuam drejt strehës së bombave. Ishte e pakëndshme, e zhurmshme, e tmershme” – theksoi një banore tjetër e Odesës.

Pavarësisht sulmit me raketa, Ukraina po vazhdon përgatitjet për të rifilluar eksportet e grurit nga Odesa.

Nga ana tjetër zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Zaharova tha se raketat ruse shkatërruan infrastrukturën ushtarake në Odesa.

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë amerikanë në Ukrainë. Ndërkohë, kryeministri britanik në largim Johnson shpërndau në rrjetet sociale një video të stërvitjes së ushtarëve ukrainas në Yorkshire. (Ersan Pajaziti, TVM2)