Botë
BE-ja shqyrton mundësinë e sekuestrimit të aseteve ruse për rindërtimin e Ukrainës
26.07.2022 09:29
Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë e sekuestrimit të aseteve ruse të ngrira nën sanksionet për luftën e Moskës....

Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë e sekuestrimit të aseteve ruse të ngrira nën sanksionet për luftën e Moskës kundër Kievit, për t’i përdorur ato për rindërtimin e pasluftës të ish-republikës sovjetike që dëshiron të integrohet me demokracitë perëndimore.
BE-ja ka sanksionuar më shumë se 1.200 individë dhe 100 entitete për destabilizimin e Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë nga Moska më 2014. Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, në mesin e tyre, BE-ja futi në listën e zezë presidentin Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe oligarkë rus.Këtyre njerëzve tani u është ndaluar të vizitojnë BE-në dhe pasuritë e tyre në bllok janë ngrirë, por nuk konfiskohen për t’u shitur, për shkak që për ta bërë këtë në shumicën e vendeve anëtare kërkohet një dënim penal. Komisioni Evropian ekzekutiv i BE-së ka raportuar 13.9 miliardë euro të aseteve të oligarkëve rusë të bllokuara në BE.
Thesari i SHBA-së tha në fund të qershorit se aleatët perëndimorë kishin ngrirë ose bllokuar më shumë se 30 miliardë dollarë asete të sanksionuara të rusëve.
Por, kjo mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së këtyre individëve në listën e zezë. Në krye të kësaj vjen një vlerë prej 300-400 miliardë dollarësh të aktiveve të bankës qendrore ruse të mbajtura në Perëndim, nga të cilat Franca ka raportuar se ka ngrirë rreth 23 miliardë euro. Këto asete mund të shkojnë drejt plotësimit të nevojave të Ukrainës për rindërtim.
Nëse sekuestrimi rezulton i pamundur për arsye ligjore ose praktike, Perëndimi mund t’i mbajë të ngrira asetet e Rusisë për aq kohë sa Moska nuk pranon të kontribuojë në rindërtimin e Ukrainës si pjesë e bisedimeve përfundimtare të paqes.
