Maqedoni
VMRO-DPMNE: Kuvendi jofunksional, ministrat askund
26.07.2022 13:34
VMRO-DPMNE akuzon pushtetin se ka shkatërruar besueshmërinë e shtëpisë ligjvënëse duke u kthyer në jofunksionale...

VMRO-DPMNE akuzon pushtetin se ka shkatërruar besueshmërinë e shtëpisë ligjvënëse duke u kthyer në jofunksionale, pikërisht në këtë moment të rëndësishëm për shtetin. Opozita thotë se pushteti sillet sikur shteti po lulëzon, por në realitet qytetarët nuk dinë si të kalojnë muajin.
“Besueshmëria e Kuvendit është shkatërruar aq sa përfaqësuesit e qeverisë nuk paraqiten në seanca, që është detyrim ligjor i tyre. Po ashtu, nga Qeveria nuk vijnë ligje të reja, që është shenjë se Qeveria Kovaçevski është aq e përgjumur dhe jokoherente në kohë krize.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
LSDM akuzon Mickoskin: Ju drejton Gruevski, farsa e radhës referendumi
LSDM ndërkohë akuzon kreun e VMRO-DPMNE-së, se ende menaxhohet nga Nikolla Gruevski. Sa herë që ndodhin procese të rëndësishme për të ardhmen e shtetit, Mickoski vihet në anën e kundërt të historisë dhe interesit të qytetarëve, akuzojnë nga LSDM.
“Hristian Mickoski sërish shkoi në Budapest, mesa duket për të marrë udhëzime të reja nga Nikolla Gruevski. Kësaj radhe për farsën e re, për kërkesën për Referendum që është vetëm për përdorim të brendshëm në VMRO-DPMNE dhe që nuk ka mbështetje as nga partitë në opozitë. Mickoski dhe Apasiev janë të izoluar në veprimet e tyre kundër rrugës europiane të vendit.”,- theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzleska.
LSDM i përkujton opozitës se edhe e diplomatë të lartë perëndimorë nga BE, kanë kritika serioze për sjelljen destruktive të tyre.
REXHEP QAMILI
