Maqedoni
Shkup, përkujtohet 59 vjetori i tërmetit katastrofal
26.07.2022 13:56
Më 26 korrik1963, Shkupi u kaplua nga një tërmet i fuqishëm ku humbën jetën 1.070 persona...

Më 26 korrik1963, Shkupi u kaplua nga një tërmet i fuqishëm ku humbën jetën 1.070 persona, e u lënduan tre mijë të tjerë. Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Por shpejt me Shkupin u solidarizua e gjithë bota dhe Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.
Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar. Me këtë rast delegacione nga Qyteti i Shkupit, Qeveria, Kuvendi dhe kori diplomatik vendosën kurora lulesh në përmendoren e viktimave të tërmetit katastrofal.
“Një numër i madh i shkupjanëve ende e kanë në kujtesën e tyre atë mëngjes tragjik, por Shkupi vazhdon të kujtojë edhe ndihmën dhe solidaritetin që e pamë që pasoi pas asaj dite tragjike tërmetit katastrofal. Besoj se duhet të shohim drejtë ardhmërisë, por për çdo vit t’i kujtojmë viktimat e shkaktuara nga kjo ngjarje tragjike. Duhet të shohim se si Shkupi u rrit në metropol, në qytet të solidaritetit, bashkëjetesës, qytet që e ndihmuan një numër i madh kombesh, me çka ndihmuan që përsëri të ngrihet nga gërmadhat.”,- tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Pjesë e aktiviteteve në përkujtim të 59 vjetorit të tërmetit, janë edhe ekspozita “Për Shkupin me zemër për tërë botën”, projeksioni i filmit “Mirëmbrëma Shkup”. Historikisht, qyteti i Shkupit disa herë është rrënuar nga tërmeti dhe sërish ka rilindur. Në hapësirën mes fshatrave Zlokuqan dhe Bardovcë ka ekzistuar Qyteti i Shkupit, metropol i provincës Dardania.
Ky qytet, në vitin 518 ka qenë plotësisht i shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në provincën Dardania janë shkatërruar 24 fortesa të qytetit, ndërsa janë shkaktuar edhe shumë plasje në tokë. Tërmeti i dytë katastrofal ka ndodhur në vitin 1555. Shkatërrimi i tretë dhe i fundit i Shkupit ndodhi më 26 korrik të vitit 1963, kur dridhjet e fuqishme prej nëntë ballëve sipas shkallës së Merkalievit ose gjashtë sipas shkallës së Rihterit, rrafshuan pothuajse në tërësi kryeqendrën.
GYLTENE SINANI
