Maqedoni

Ligji për personat e paevidentuar, qeveria do të ndryshojë dhe vazhdojë afatin ligjor

26.07.2022 14:12

Gjysma nga gjithsej 732 personat e paevidentuar në RMV, nuk kanë iniciuar procedurë për regjistrimin e tyre në Librin e Posaçëm Amë...

Gjysma nga gjithsej 732 personat e paevidentuar në RMV, nuk kanë iniciuar procedurë për regjistrimin e tyre në Librin e Posaçëm Amë, tregojnë të dhënat e Avokatit të Popullit. Por, edhe ata që kanë marrë dokument identifikimi, në praktikë nuk mund të realizojnë asnjë të drejtë, siç është e drejta e arsimimit, mbrojtja shëndetësore e  sociale si dhe punësim me sigurim të obliguar social. Kjo dukuri, sipas Avokatit të Popullit, është pasojë e sistemit aktual të integruar, i cili nuk e njeh numrin e identifikimit të dhënë nga Libri amë i posaçëm dhe pengon realizimin e këtyre  të drejtave.
 
Afati i Ligjit për personat e paevidentuar ka skaduar në qershor, e më në fund Qeveria pranoi propozimin e Avokatit  Popullit për vazhdimin e afatit të Ligjit dhe implementimin e të njëjtit. Janë obliguar Ministritë përkatëse që të tregojnë raport proaktiv në zbatimin e Ligjit dhe të përgatisin propozim për ndryshimin e Ligjit për Personat e Paidentifikuar dhe vazhdimin e afatit të tij më së paku 1 vit. Duke pasur parasysh se edhe përkundër ekzistimit të Ligjit, personat në fjalë nuk kanë mundur t’i realizojnë të drejtat e tyre, nga qeveria obligojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme që të përmirësojë sistemin ekzistues i cili do të mundësojë që personat e paidentifikuar me numër amë të posaçëm, të integrohen në sistem.
 
Qeveria obligon ministritë resore që t’i harmonizojnë ligjet nga fusha e arsimit, shëndetësisë, sigurimit të obliguar social me Ligjin e Personave të Paevidentuar, që do të mundësojë edhe të drejtën e bursës, shtesave për arsim, shtesave të veçanta, kompensim për aftësi të kufizuara si dhe paraqitjen si person i papunësuar në Agjencisë për punësim të RMV-së. Sipas të dhënave të fundit të Avokatit të Popullit më shumë se gjysma e personave të paevidentuar janë fëmijë deri në moshën 18 vjeçare.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI