Maqedoni
Pranuan fajin për dhunën para kuvendit, dënime me kusht për 3 të mitur e 4 të rritur
26.07.2022 15:14
7 protestues të dhunshëm të cilët më 5 korrik morën pjesë në turmën e cila u përlesh me policinë gjatë protestave...

7 protestues të dhunshëm të cilët më 5 korrik morën pjesë në turmën e cila u përlesh me policinë gjatë protestave që u mbajtën para Kuvendit kundër propozimit francez, pas pranimit të fajit janë dënuar me kusht dhe janë liruar nga paraburgimi. Të akuzuarit mund të dënohen me dy vite burg efektiv në rast se brenda katër viteve të ardhshme kryejnë vepër penale. Nga shtatë të cilët e pranuan fajin, tre janë nxënës të shkollës së mesme dhe janë 18 vjeç e më pak, një është 19 vjeç dhe të tjerët janë deri në 36 vjeç.
Në fjalën përfundimtare, të pandehurit, përveçse kanë pranuar fajin, kanë shprehur pendim, kanë premtuar se nuk do të përsërisin veprime të tilla të ngjashme dhe janë mbrojtur se janë nxitur nga turma protestuese. Të pandehurit akuzohen edhe për plagosjen e 26 policëve, në mesin e të cilëve me lëndime të rënda trupore ka përfunduar një police e angazhuar për të siguruar protestat.
Si pasojë e protestave të dhunshme, në të cilat protestuesit hodhën me sende të forta në drejtim të objektit të Kuvendit shkaktuan edhe dëme serioze shtëpisë ligjvënëse. Kuvendi ka raportuar dëme prej 565 mijë denarë apo rreth 9.200 euro të cilat do të duhet t'i paguajë të dënuarit.
Gjithsej ishin të akuzuar 8 persona për prishje të rendit, i vetmi që nuk ka pranuar fajin do të shkojë në gjykim të rregullt. Fajin për pjesëmarrje në turmë e cila kryen vepër penale e pranuan të akuzuarit: Mlladen Ristovski, Ivan Josifovksi, Sllavço Simonovski, Bojan Stefanovski, Nikolla Mihajllovski, Viktor Stojkov dhe Shtefan Shuman.
ERSAN PAJAZITI
