Maqedoni
Komisioni për Politikë të Jashtme, mbështetet anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO
26.07.2022 15:43
Komisioni parlamentar për politikë të jashtme njëzëri mbështeti protokollin për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO...

Komisioni parlamentar për politikë të jashtme njëzëri mbështeti protokollin për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Deputetët vlerësuan se bëhet fjalë për shtete të fuqishme të cilët do të përforcojnë arkitekturën e sigurisë së NATO-s në veri të kontinentit dhe janë shtete mike të Maqedonisë së Veriut. Nga VMRO – DPMNE vlerësuan edhe veprimin e Norvegjisë e cila nuk pengon anëtarësimin e Suedisë edhe përkundër ngjashmërive gjuhësore.
“Mbretëria Norvegjeze ka gjuhë të përafërt me gjuhën suedeze, por Mbretëria Norvegjeze asnjëherë nuk i është kujtuar t’ia rrezikojë të ardhmen në NATO, të kontestojë gjuhën suedeze vetëm se për momentin veç më është anëtare, aty ku Suedia dhe Finlanda duan që të anëtarësohen.”,- tha kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshovski.
Pushteti konsideron se rëndësia e hyrjes së dy shteteve të fuqishme në NATO arsyeton përkushtimin dhe vendimet e marra të Maqedonisë së Veriut për tu bërë pjesë e Aleancës. Deputetja e PRSD-së Mirakovska thotë se vendi duhet të vazhdojë me kursin e njëjtë politik për tu bërë pjesë e Unionit.
“Konfirmoi të gjitha vendimet tona të cilët i morëm për anëtarësim në NATO, edhe njëherë konfirmon se jemi në rrugën e duhur dhe vazhdojmë edhe më tej. Edhe vendimet tona që sot po i marrim për hyrje në Bashkimin Europian gjithashtu janë serioze, të rëndësishme dhe kjo është rruga e drejtë për Maqedoninë e Veriut.”,- u shpreh deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska.
Protokollet e Suedisë dhe Finlandës do të duhet të miratohen të mërkurën në seancë plenare. Dyja vendet në qershor dorëzuan kërkesën për anëtarësim në NATO, por Turqia vazhdon të kundërshtojë fuqishëm kandidaturat e tyre, përderisa nuk përmbushen kërkesat turke për luftë kundër terrorizmit.
MERAL ISMAILI
