Raufi: Për vepër të njëjtë dikush burg e të tjerët me kusht
Vendimet e fundit gjyqësore me kusht....

Vendimet e fundit gjyqësore me kusht për 7 protestuesit para Kuvendit që kundërshtonin propozimin francez, që si pasojë kishin dëme të shumta materiale dhe lan me invaliditet pjesëtarë të policisë, tregon që në RMV ka dy Kode Penale, një që vlen për shqiptarët dhe një për maqedonasit.
Kështu vlerëson avokati Naser Raufi, i cili si krahasim cek protestuesit për rastin “Monstra”, të cilët u dënuan me burg efektiv prej 3 viteve.
“De fakto janë dy kode, ndërsa de juro është një. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, nëse bëjmë një krahasim mund të themi se vendimet për të njëjtën vepër kur e bëjnë shqiptarët janë shumë më rigoroze përkundër atyre veprave që i bëjnë maqedonasit. Është e qartë që akuzat për shqiptarët janë shumë më të ashpra për të njëjtat vepra të parapara në Kodin Penal, posaçërisht edhe vet gjykata ku këto dënime realizohen praktikisht. Faji më i madh sipas meje është tek Ministria e Drejtësisë dhe vetë Gjykata.”,- deklaroi avokati, Naser Raufi.
Sipas tij, standardi i dyfishtë është i pranishëm pothuajse në të gjitha rastet, andaj kërkon reagimin e institucioneve përkatëse. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
