“Open Ballkan”, tre shtetet anëtare heqin kufizimet
Për të mos vuajtur mungesën e ushqimeve.....

Për të mos vuajtur mungesën e ushqimeve nga bllokimi i eksporteve si pasojë e luftës në Ukrainë, vendet e “Ballkanit të Hapur” marrin vendim të heqin kufizimet mes tyre.
Kështu, Shqipëria do të importojë pa kufi nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kryesisht, grurë, misër, vaj dhe sheqer. Lajmi u bë i ditur në një takim në kuadër të Ballkanit të hapur nga ministrja Frida Krifca, ndërsa zëvendëskryeministri për çështje ekonomike i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, tha se janë të gatshëm për trajtim preferencial të 3 vendeve.
“Pala maqedonase angazhohet për të hequr bllokimin e vendosur për produktet eksporteve ushqimore javën shkoi, dhe pala serbe të eliminojë tavanet eksportuese drejt Shqipërisë për produktet e grurit dhe misrit të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave, ky memorandum do të nënshkruhet në serbi në fillim të shtatorit.”,- u shpreh ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.
“Vendimi ynë i njëanshëm për ndalimin e eksportit ka shkaktuar reagime të caktuar por kemi sqaruar se kjo ka qenë për shkak të nevojave tona të brendshme dhe që gjithsesi jemi të hapur dhe të kemi trajtim preferencial ndaj vendeve që janë pjesë e Ballkanit të Hapur për sa i përket nevojave të tyre. Ushqimi për të gjitha vendet do të jetë i mjaftueshëm dhe do të mjaftojë për të gjithë ne përmes bashkëpunimit të ndërsjellët.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Nga ana tjetër, Shqipëria zotohet të furnizojë me qymyrguri Serbinë e Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që të mos i drejtohen importit.
“Pala serbe kërkoi që të ketë më tepër furnizime qymyri dhe ne kemi rezerva qymyri për ti ofruar, dhe në këtë aspekt na duhet të punojmë për të bërë specifikimet teknike dhe fizike të qymyrit që kemi dhe sa shpejt mund të bëhet i vlefshëm për tu eksportuar drejt Serbisë. Po kështu edhe Maqedonia e Veriut e cila ka prodhim të energjisë me qymyr dhe kërkojë të kishte shfrytëzim të këtyre kapaciteteve”, tha zëvendësministri i Energjisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja.
Po ashtu Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të bashkëpunuar me Shqipërinë për krijimin e terminalit për gazin e lëngshëm në portin e Vlorës. Dakordësitë e arritura do të materializohen në marrëveshje e memorandume që do të nënshkruhen në samitin e ardhshëm të “Open Balkan” që do mbahet në Beograd më 1 shtator. (Luljeta Ndoka, TVM2)
