Botë
Osmani e Kurti takojnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken
27.07.2022 11:48
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u takuan mbrëmë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken....

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u takuan mbrëmë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Pas takimit në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se gjatë takimit Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, shkruan zëdhënësi Price.
Pas takimit, në një prononcim për Zërin e Amerikës, Presidentja Vjosa Osmani tha se e informoi Sekretarin Blinken rreth reformave të ndërmarra në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, për të cilat siç u shpreh ajo “duhet përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Edhe një herë u konfirmua se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh, më të fuqishëm dhe më të afërt sesa SHBA-të”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se shprehu mirënjohjen e tij për ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur mizoritë serbe në Kosovë, vendi që siç u shpreh ai “është një rrëfim suksesi i një demokracie cilësore që ecën së bashku me zhvillimin ekonomik”.
“Në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë, të cilat dëshirojnë të tregojnë që për zhvillim ekonomik demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë së bashku”, tha Kurti për Zërin e Amerikës.
Kryeministri Kurti tha se e shfrytëzoi takimin me Sekretarin Blinken për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që ka për qëllim forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë.
