Maqedoni
Kuvend, ratifikohet aderimi i Suedisë e Finlandës në NATO
27.07.2022 14:10
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ratifikoi protokollet për aderimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë Suedeze në NATO....

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ratifikoi protokollet për aderimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë Suedeze në NATO. Kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, uroi përfaqësuesit e dy vendeve mike me shpresë që procesi i ratifikimit të protokollit të jetë sa më i shkurtë në parlamentet e vendeve anëtare.
“Para më shumë se dy vitesh ne ishim në një situatë të tillë që pritëm gati një vit për përmbylljen e procesit të ratifikimit të marrëveshjes për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO, dhe me këtë vendim sot që Kuvendi ynë po e bën për miqtë tanë pretendent Republika e Finlandës dhe mbretëria e Suedeze të bëhen anëtare të plotfuqishme të NATO-s me shpresë se ky proces në mënyrë më të shpejtë të mundshme të mbarojë në të gjitha parlamentet më lejoni që në emrin tim në emrin tuaj dhe në emër të qytetarëve të RMV-së përfaqësuesve të dy vendeve mike tona Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë Suedeze të ju uroj rrugëtim sa më të shkurtë të mundshëm.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme një ditë më parë deputetët vlerësuan se bëhet fjalë për shtete të fuqishme të cilët do të përforcojnë arkitekturën e sigurisë së NATO-s në veri të kontinentit dhe janë shtete mike të Maqedonisë së Veriut. Suedia dhe Finlanda në qershor dorëzuan kërkesën për anëtarësim në NATO.
NAIM RAMADANI
