Botë
Filipine, tërmet me magnitudë 7.0, ka viktima e të lënduar
27.07.2022 14:28
Një tërmet i fortë me magnitudë 7.0 gradë të shkallës Rihter goditi ishullin Luzon në Filipine....

Një tërmet i fortë me magnitudë 7.0 gradë të shkallës Rihter goditi ishullin Luzon në Filipine, duke dëmtuar një spital dhe ndërtesa. Tërmeti ka shkaktuar nga lëvizja e një çarje lokale në një thellësi prej 25 kilometrash. Ndikimi i tërmetit u ndje në kryeqytetin Manila, më shumë se 400 kilometra larg, ku punëtorët dhe banorët evakuuan ndërtesat dhe u mblodhën në rrugë. Numri i të vdekurve aktualisht është 4, por është në rritje të vazhdueshme, ndërsa janë mbi 60 të lënduar. Një spital në provincën Abra u evakuua pasi u shemb pjesërisht, por autoritetet thanë se nuk kishte viktima. Pamjet tregojnë edhe momentin kur shembet kambanorja e kishës, ndërsa njerëzit ikin.
“O Zot kjo ishte vërtetë e tmerrshme, goditjet ishin shumë të forta.”,- tha një grua.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi dërgimin e menjëhershëm të ekipeve të shpëtimit dhe ndihmës në Abra.
“Tërmeti ishte më i fortë se zakonisht, ne kemi dërgua menjëherë ekipet e shpëtimit e të ndihmës në zonat më të rrezikuara, por deri tani mendoj se është bërë gjithçka që mund të bëhet.”,- u shpreh presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr..
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi se epiqendra e tërmetit ishte 11 kilometra në juglindje të qytetit të Dolores dhe në një thellësi prej 10 kilometrash. Fillimisht u lajmërua për një magnitutë 7.3 por më pas u korrigjua në 7. Sipas autoriteteve ne Filipine janë raportuar 58 rrëshqitje dheu dhe 218 qytete në 15 provinca janë prekur nga tërmeti po ashtu janë shkatërruar tri ura në Abra.
GYLTENE SINANI
