Maqedoni
Hapja e kushtetutës dhe ndryshimet ligjore, pushteti fton opozitën të mbështesë ndryshimet
27.07.2022 15:31
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutë, vazhdon të thellojë ndasitë pushtet-opozitë....

Përfshirja e bullgarëve në kushtetutë vazhdon të thellojë ndasitë pushtet - opozitë. Pushteti ka vijuar aktivitetet duke ftuar opozitën që të vetëdijesohet dhe të kyçen në rrugën europiane të shtetit, pasi për miratimin e ndryshimeve kushtetuese shumicës i mungojnë edhe gjashtë deputetë, nga gjithsej 80 votat e nevojshme.
“Pres që të ketë vetëdijesim nga deputetët e VMRO–DPMNE-së, të jenë konstruktiv dhe do të përfshihen në proces që shteti sa më parë të shkojë përpara në interes të qytetarëve duke pasur parasysh periudhën që vijon me krizën energjetike. Apelojmë VMRO – DPMNE – në të mos manipulojnë qytetarët për të mbrojtur krimin në partinë e tyre.”,- tha deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.
VMRO-DPMNE: Opozita është e bashkuar kundër ndryshimeve
Nga VMRO–DPMNE të prerë se s’do lejojnë hyrjen e bullgarëve në kushtetutë. Thonë se blloku opozitar është i unifikuar dhe s’do përçahet për të realizuar synimet e pushtetit.
“Nuk ka mendime të ndryshme. Ky grup parlamentar funksionon si një pavarësisht se kush nga cila parti vjen edhe pse pjesa dominuese janë anëtarë të VMRO–DPMNE –së. Ata flasin për këtë në media që ne mos të flasim për çmimin e energjisë elektrike, inflacionin, tradhtinë që bënë duke pranuar diçka që askush më parë nuk e ka pranuar.”,- u shpreh Ljupço Prenxhov nga GROM.
Kuvend, “përplasje” midis Xhaferit dhe Micevskit
Ndasitë pushtet opozitë gjatë ditës u reflektuan edhe në seancën plenare. Momentet acaruese kulmuan midis deputetëve të VMRO – DPMNE-së dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, pasi opozita lëshoi sallën meqë kryeparlamentari Xhaferi ndërpreu seancën e 82-të dhe vazhdoi me seancë tjetër.
“Shko në vendin tënd, nuk mund të vish në foltore pasi që nuk të kam thirrur.”,- theksoi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
“Si vazhdon me seancën kur unë kërkova pauzë?”,- pyeti Nikolla Micevski nga VMRO–DPMNE.
“Kujt t’i japë pauzë përderisa ju po qëndroni jashtë, kujt t’i japë pauzë sallës së zbrazët? Jo, sallës së zbrazët nuk i jap pauzë.”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
“E para, një qasje të tillë do të bësh në shtëpi ose në BDI. E dyta të më ulësh atje ku duhet të ulem, s’do më ulësh pasi që në mënyrë të kulturuar kërkova procedurale dhe e ke obligim që menjëherë të na jepni një orë pauzë dhe nuk ke të drejtë të vazhdosh me seancën pasi që t’i e mbylle seancën.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO – DPMNE.
Parlamenti ditëve të fundit nuk ka arritur që të miratojë më shumë ligje në mungesë të kuorumit të nevojshëm për votim.
MERAL ISMAILI
