Maqedoni

2 fatalitete e 897 raste të reja, festimet ulin kujdesin e shpërndajnë virusin

27.07.2022 15:49

Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar dasmat e fejesat, vera ka shtuar koncertet e daljet në vende me shumë njerëz...

Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar dasmat e fejesat, vera ka shtuar koncertet e daljet në vende me shumë njerëz, e kjo  ka shtuar edhe rrezikun e infektimeve nga Covid-19. Rreth 80% e rasteve totale të  muajit të fundit janë nga  varianti BA.5 i Omicronit,  i cili përhapet shumë më lehtë, por edhe simptoma i ka më të lehta. Megjithatë mjekët apelojnë që qytetarët nuk duhet të lirohen sepse jo të gjithë ata që preken nga ky nën-variant, kalojnë pa komplikime. 
 
“Ne po mbajmë maska në objektet shëndetësore, disa po i mbajmë maskat ndërsa të tjerët janë liruar në këtë periudhë edhe nga rekomandimet por edhe i lëshojnë pacientët pa maska dhe normalisht që vjen deri te rritja e numrit të të infektuarve.”,- tha mjeku, Illço Efkoski.
 
Në repartin e sëmundjeve infektive në Tetovë, gjatë ditës ndihmë mjekësore kërkojnë mbi dyzet pacientë dhe 60 për qind e tyre janë pozitiv me Covid-19. Shumica e pacientëve me Covid-19 kanë simptoma të lehta dhe  aktualisht në spitalin klinik të Tetovës nuk ka asnjë pacient të hospitalizuar. Edhe pse është rritur numri i të infektuarve, interesimi për tu vaksinuar me dozën e tretë dhe të katërt është i ulët. Në pikën e vaksinimit në Tetovë gjatë ditës vaksinohen deri në 40 pacientë.
 
“Të dyja dozat e kishin vlefshmërinë ose efektin e tyre të kufizuar për rreth nëntë muaj, doza përforcuese gjithashtu. Kanë kaluar mjaft muaj me  numër më të vogël të të infektuarve, por tash efekti  i vaksinave pothuajse  ka përfunduar sipas informatave nga OBSh, kështu që në pikun e ardhshëm mendoj se është e nevojshme të vaksinohen me dozën e tretë ose dozën e  katërt përforcuese.”,- tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Tetovë, Borislav Jorgaçievski.
 
Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan dy viktima dhe 897 infektime të reja prej të cilave 215 janë ri-infektime. Numri i rasteve aktive në vend është 4.901.

VLORA LATIFI TOPOJANI