Botë
Bullgaria para zgjedhjeve të reja, BSP kthen mandatin, nuk arriti shumicë
27.07.2022 16:01
Socialistët bullgarë nuk patën sukses në sigurimin e shumicës për formimin e qeverisë dhe sipas rregullave....

Socialistët bullgarë nuk patën sukses në sigurimin e shumicës për formimin e qeverisë dhe sipas rregullave, kthejnë mandatin tek kryetari i shtetit. Ky vendim ka ardhur për shkak se në kuvend nuk ju ka kaluar pika e rendit të ditës lidhur me programin për punën gjashtëmujore të kuvendit. Paraprakisht socialistët paralajmëruan se nëse realizohet ideja e tyre dhe programi votohet nga 120 deputetë, menjëherë fillojnë me procedurën për zgjedhjen e qeverisë së re, në krye me Asen Vasilevin si kandidat për kryeministër.
“Rreziku që i kanoset shtetit është përgjegjësi e atyre që nuk e përkrahën Bullgarinë që të ketë parlament dhe qeveri funksionale.”,- u shpreh Georgi Svilenski nga BSP.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Zhvillohen bisedimet dhe ky është proces dinamik. Nëse kuvendi popullor mbledh shumicë dhe ka vullnet që të formohet qeveri me një program, do të bisedohet edhe për përbërjen e kabinetit. Në këtë fazë nuk kemi paralajmërim të atillë.”,- tha deputeti nga “Vazhdojmë me ndryshime”, Jordan Terzioski.
“Çka është e çuditshme që partia e cila nuk fitoi në zgjedhjet, BSP, për çka Ninova dha dorëheqje, menjëherë doli që ajo do të udhëheq me shtetin? Përse realizojmë zgjedhje? Çfarë demokracie është kjo?”,- theksoi deputeti i GERB-it, Bojko Borisov.
Vendimi tani është në duart e presidentit, Rumen Radev. Ai disa herë ka paralajmëruar se në qoftë se nuk arrihet marrëveshje, zgjedhjet janë të pashmangshme. Stabiliteti politik bullgar ka shumë rëndësi për vendin tonë në vijimin e mirëfilltë të negociatave me BE-në, si dhe në veçanti në raportet mbi detyrimet e palëve që dalin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Përkujtojmë se së fundmi Sofjes iu desh të përsëris tre herë zgjedhjet për shkak të pamundësisë së formimit të ekzekutivit. Si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, presidenti bullgar Radev ka përmendur 2 nëntorin.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
