Maqedoni
Oda e Zejtarëve: Të na mundësohet puna të dielave, s’mbijetojmë dot
27.07.2022 16:29
Oda e Zejtarëve kërkon me ngulm që veprimtarive të ndryshme të zejtarisë...

Oda e Zejtarëve kërkon me ngulm që veprimtarive të ndryshme të zejtarisë, për shkak të natyrës së punës, t’u mundësohet të punojnë edhe të dielave. Kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV-së, Agron Fazliji, thotë se bizneset mezi kanë pritur ardhjen e mërgimtarëve gjatë muajve të verës që çdo vit ka qenë një infuzion i mirë për ta, por sivjet për shkak të mosfunksionimit të veprimtarive gjatë të dielës, përgatitjet për dasma apo festime tjera mërgimtarët po i bëjnë në shtetet fqinje.
“Situata është alarmante, momentalisht ekonomia dhe bizneset e vogla janë në hall, sepse e diela ditë jo pune shkakton ekonomi joformale, sepse të gjithë ata klient që ne i pritnim nga diaspora, momentalisht janë duke shkuar në Republikën e Kosovës, ose në Republikën e Serbisë, për t’i shfrytëzuar benefitet e së dielës për ty kryer përgatitjet për dasma apo evenimente dhe të gjithë ato mundësi që klientët munden të dielën ti bëjnë. Të gjithë ata që janë të anëtarësuar në odën tone të zejtarëve janë të revoltuar.”,- tha për TVM2 kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV-së, Agron Fazliji.
Thonë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë për punë dhe politikë sociale që e diela të punohet duke respektuar ligjin për ti paguar punëtorët 50%, por kjo kërkesë nuk është përfillur. Thonë se puna të dielën u duhet lejuar sepse në të kundërtën nuk do i mbulojnë dot harxhimet.
“Nëse vitin e kaluar kemi paguar 3000, 5000 apo 10.000 denarë, këtë viti duhet paguar dyfishin e këtij çmimi. Prandaj u bëjmë apel të gjitha institucioneve që të mundësojnë të punojnë të gjitha këto zejtari, të dielën, sepse është mëse e domosdoshme.”,- nënvizoi Fazliji.
Nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, mbi 30 për qind e këtyre bizneseve do të mbyllen deri në Vitin e Ri, paralajmëron Fazliji.
FATLUM AQIFI
