Maqedoni
Spitali modular në Tetovë, tre persona fizikë dhe një juridik do të ndiqen penalisht
27.07.2022 16:57
Prokuroria themelore publike në Tetovë ka ngritur propozim akuzë kundër tre personave fizik dhe 1 jurdik...

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka ngritur propozim-akuzë kundër tre personave fizikë dhe një juridik, gjegjësisht Spitalin e Tetovës, lidhur me zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 persona. Informatën për TVM2 e vërtetuan nga Prokuroria Publike në Shkup. Për veprat penale për të cilat ngarkohen të dyshuarit janë të parapara dënime me burg prej 1 deri më 5 vite, gjegjësisht gjobë ose dënim deri në 1 vit. Sipas propozim akuzës dhe asaj që e parasheh Kodit Penal për Spitalin e Tetovës është e paraparë gjobë.
"Dy të akuzuarit e parë ngarkohen se kanë kryer nga një vepër penale, “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” në bazë të nenit 292, paragrafi 4, lidhur me nenin 288, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 2 nga Kodi Penal. I akuzuari i tretë ka kryer vepër penale, "mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë kohës së epidemisë" neni 206, paragrafi 1 nga Kodi Penal. Personi i akuzuar juridik ka kryer vepër penale “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm” në bazë të nenit 288 paragrafi 5, lidhur me paragrafet 4 dhe 2 dhe veprën penale mosveprim sipas dispozitave të shëndetësore në kohë të epidemisë, neni 206, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.",- qëndron në përgjigjen e Prokurorisë.
Për të hetuar rreth djegies së spitalit modular në Tetovë u angazhuan 4 prokurorë, ndërsa ekspertizë realizuan edhe ekspertë gjermanë. Sipas ekspertizës zjarri në spitalin modular të Tetovës ka ndodhur si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik përmes një rezistence të lartë kalimtare në kabllon lidhëse të defibrilatorit që është përdorur për reanimimin e pacientit në njërën nga dhomat e spitalit. Mbinxehja e kabllit shkaktoi zjarr në kutinë e lidhjes nga kablloja zgjatëse në të cilën ishte lidhur defibrilatori, karrikuesi i celularit dhe një pajisje tjetër.
FLORIJE BELULI KAMBERI
