Botë
Lufta në Ukrainë, vazhdojnë sulmet ruse ndaj civilëve
27.07.2022 17:23
Të paktën tre persona janë vrarë nga një sulm rus në një hotel në qytetin Bakhmut...
Të paktën tre persona janë vrarë nga një sulm rus në një hotel në qytetin Bakhmut, në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë. Tre granata janë hedhur edhe në Toretsk, një në Avdiivka. Bombardimet ruse nuk kanë kursuer as Kurakhov-ën, Hirnyk-un, dhe Hostre-në.
“Sipas informacioneve paraprake, ka të vdekur dhe të plagosur, një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar, me gjasë numri i viktimave mund të rritet. Në Bakhmut është sulmuar një hotel me civil, të cilët ishin strehuar pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar.”,- tha guvernatori lokal, Pavlo Kyrylenko.
Granatimet e vazhdueshme dhe radhët e gjata për të mbushur ujë, janë përditshmëri në Mykolaiv. Ditët në këtë qytet, nuk janë kurrë të qeta, shumica e banorëve nuk kanë zgjidhje tjetër pos të qëndrojnë në mes flakëve.
“Ne kemi pika grumbullimi të ujit në qytet, nuk mund të përgatisim ushqim pa të. Duhet të ecim shumë larg për të siguruar ujë. Këtu është e frikshme të jetosh, sidomos gjatë bombardimeve.”,- u shpreh banorja në Mykolaiv, Tetyana Chernetska.
“Nuk e di pse duhet të bombardojnë ndërtesa absolutisht të zbrazëta.”,- tha drejtuesi i një qendre vullnetare, Mykhaylo Fatee.
“Unë dua që ata të shpejtojnë çlirimin. Dua që kjo katrahurë të marrë fund, që njerëzit të mos vuajnë. Vajza ime shkoi jashtë vendit. Unë qëndrova këtu, vetëm! Nuk dua të shkoj askund, do qëndroj në vendin tim, pavarësisht gjithçkaje.”,- theksoi banori i Mykolaiv, Yuriy Kravets.
“Nuk kemi ku të shkojmë... nuk mund të lëmë gjithçka.”,- u shpreh banori i Mykolaiv, Mykola Novitskiy.
Lavrov: Përshkallëzimi i konfliktit, përgjegjësi e Perëndimit
Lavrov këmbëngul se Rusia do të vazhdojë me sulmet dhe për këtë fajëson Perëndimin.
“Në angazhimet që ka marrë Rusia, asgjë nuk do të na ndalojë të vazhdojmë operacionin special ushtarak. Për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë e gjithë përgjegjësia është e Perëndimit.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e gjashtë dhe pas vetes ka lënë mijëra viktima, shumica e tyre janë civilë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
