Maqedoni
Kontribute edhe për honorarë jashtë vendit
15.01.2015 15:14
Të gjithë shtetasit e Maqedonisë të cilët sigurojnë honorare në vlerë më të lartë se paga minimale, përkatësisht mbi 9 mijë e 500 e 90 denarë...

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë të cilët sigurojnë honorare në vlerë më të lartë se paga minimale, përkatësisht mbi 9 mijë e 500 e 90 denarë, prej një janarit të këtij viti janë të obliguar të paguajnë kontribute sociale.
Ndërsa të gjithë të tjetër të cilët kanë kontrata më të ulëta, nuk janë të obliguar të paguajnë kontribute sociale, por ata obligohen vetëm për pagesën e tatimit personal, sqaron Hajredin Hamzai nga Fondi Pensional.
Honoraristët personalisht, kur bëhet fjalë për kontrata mes personave fizik, apo personat juridik në rastet kur qytetari ka nënshkruar kontratën me person juridik, tanimë mund t’i marrin kërkesat për paraqitjen e honorarëve në ueb-faqen e Fondit Pensional, apo në sportelet e njësive rajonale të fondit.
Nga Fondi Pensional sqarojnë se si dokumentet e nevojshme për paraqitjen në fond janë: plotësimi i fletëparaqitjes, e cila mund të gjendet në dy gjuhë, kontrata me personin fizik ose juridik që ka nënshkruar honoraristi dhe xhirollogaria e transaksionit të mjeteve.
“Gjithë personat të cilët lidhin marrëveshje kontratë në mes dy personave fizik, obligues për përllogaritjen e rrogës mujore është Fondi Pensional. Kurse për personat të cilët janë të punësuar në subjektet juridike, janë obligues te subjektet juridike të bëjnë përllogaritjen e rrogës mujore dhe të kontributeve sociale, që do të thotë se çdo subjekt juridik që ka të punësuar ose në kontratë për punë të kryer, ose ndonjë lloj tjetër kontrate, është i obliguar për personin të cilin e ka angazhuar vetë të bëjë përllogaritjen nëpërmjet sistemit që edhe funksionon deri tash, nëpërmjet të hyrave publike të bën përllogaritjen e rrogës dhe kontributeve personale”- deklaroi Hajredin Hamzai nga Fondi Pensional.
Ai po ashtu sqaron se kontribute do të duhet të paguajnë të gjithë shtetasit e Maqedonisë, përfshi edhe ata që sigurojnë honorare jashtë vendit.
“Personat të cilët janë shtetas të Maqedonisë, jetojnë dhe veprojnë, por kanë kontratë, një lloj kontrate me ndonjë subjekt i cili është prej jashtë, janë të obliguar të paguajnë kontributet sociale për atë që marrin edhe honorarë, marrin edhe ndonjë formë tjetër të kontributeve”- tha Hamzai.
Ky model është marrë nga vendet evropiane, pasi i njëjti tanimë praktikohet në shumicën prej tyre, theksoi Hamzai, sipas të cilit me këtë ndryshim ligjor do të përfitojnë qytetarët, të cilët në këtë formë do të mund të sigurojnë pensione, ndërsa do të luftohet edhe ekonomia informale.
GYLTENE SINANI
