Botë
SHBA ofertë Moskës për lirimin e dy amerikanëve
28.07.2022 11:59
Kryediplomati amerikan pret të flasë me homologun rus për herë të parë që kur Kremlini sulmoi Ukrainën...

Kryediplomati amerikan pret të flasë me homologun rus për herë të parë që kur Kremlini sulmoi Ukrainën, një ndryshim i mprehtë i politikës së mëparshme amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Rusisë një marrëveshje që synon lirimin dhe kthimin në Shtetet e Bashkuara të yllit të basketbollit Brittney Griner dhe amerikanit të burgosur, Paul Whelan, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Por nuk ofroi detaje mbi marrëveshjen e propozuar, e cila u ofrua javë më parë, ndërsa nuk është e qartë nëse oferta amerikane do ta joshë Rusinë që të lirojë amerikanët.
Deklarata shënon rastin e parë që qeveria amerikane ka shpalosur publikisht ndonjë veprim konkret që ka ndërmarrë për të siguruar lirimin e basketbollistes Griner, e cila u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt nën akuza për drogë dhe dëshmoi të mërkurën në gjykatë.
Prej vitesh Rusia ka shprehur interes për lirimin e Viktor Bout, një tregtar rus armësh i etiketuar dikur si “tregtari i vdekjes”, i cili u dënua me 25 vjet burg në vitin 2012 nën akuzat se kishte planifikuar të shiste ilegalisht armë që kapin shumën e disa miliona dollarëve.
Blinken tha se ai gjithashtu do të fliste me zotin Lavrov mbi rëndësinë që Rusia të respektojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për eksportimin e drithërave ukrainase. Ai do ta paraljmërojë zotin Lavrov mbi rreziqet e përpjekjeve të mundshme ruse për të aneksuar pjesë jugore dhe lindore të Ukrainës.
