Botë

"Rusia humb gjysmën e ushtrisë në Ukrainë", SHBA pretendon se rreth 75 000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur

28.07.2022 12:26

Një ligjvënëse amerikane pretendon se Inteligjenca amerikane ka arritur në përfundimin se ushtria ruse ka humbur rreth gjysmën e trupave në Ukrainë, çka do të ishte një lajm i mirë për Kievin ndërsa po përpiqet që të rimarrë territoret e pushtuara...

Inteligjenca amerikane ka konkluduar se rreth 75 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftë në Ukrainë.

Informacionet nga mbledhja e inteligjencës së administratës Biden i ka bërë me dije ligjvënësja demokrate Elissa Slotkin.

Shifra përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska ka dërguar në Ukrainë që prej nisjes së të ashtuquajturit operacion special.

Ligjvënësja pretendoi gjithashtu se rreth 80% e forcave ruse gjenden të bllokuara ose të lodhura.

Viktimat ushtarake konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi - edhe në kohë të paqes prandaj Moska nuk i përditëson të dhënat e saj.

Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës CIA, rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftime.

Slotkin, e cila ka vizituar së fundi Ukrainën, ka thënë se periudha e ardhshme tri deri në gjashtë javë do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrë lufta.

Nëse shifrat e humbjeve të Rusisë konfirmohen, ato do të përbënin një disfatë të madhe për Rusinë, ndërsa Ukraina çon përpara kundërsulmin me qëllim marrjen e territoreve të pushtuara në jug të Ukrainës, kryesisht të Kersonit.

Ky qytet, ka pasur një popullsi prej 290 mijë banorësh përpara luftës, është nën administrimin e Moskës.

Në Kerson ka nisur puna për rusizimin e ukrainasve përmes lëshimit të pasaportave ruse, transmetimit të kanaleve të Moskës, si edhe së shpejti edhe shkollat mund të nisin në rusisht duke zëvendësuar sistemin ukrainas.