Botë

“Shteti Islamik” kërcënon SHBA-të dhe Evropën

15.01.2015 15:19

“Do të mbërrijmë në Evropë dhe në SHBA!”. Ky është kërcënimi i fundit që vjen nga “Shteti Islamik” për Perëndimin nëpërmjet një videoje të publikuar në “Youtube”...

“Do të mbërrijmë në Evropë dhe në SHBA!”. Ky është kërcënimi i fundit që vjen nga “Shteti Islamik” për Perëndimin nëpërmjet një videoje të publikuar në “Youtube” nga zyra e shtypit e të ashtuquajturit “Kalifat”, në Raka të Sirisë, ku vendet e tjera të Evropës kërcënohen se do të pësojnë të njëjtin fat si Parisi.
 
Dy militantë shfaqen në video duke folur frëngjisht, por sipas ekspertëve, i pari duket që ka theks afrikan, i dyti është me siguri nga periferitë e Parisit.
 
“I them të gjithë popullit francez që mendon se “Shteti Islamik” nuk do të mbërrijë në Evropë… Me ndihmën e Zotit, ne do të mbërrijmë atje. Do të zgjerohemi në të gjithë Evropën, në Francë, Belgjikë, Gjermani dhe Zvicër, si dhe në SHBA”- ka thënë një terrorist.
 
“U them të gjithë vëllezërve të mi, nëse shikoni një polic, vriteni! Vrani të gjithë të pafetë që shikoni rrugëve! Islami është besim i paqes vëllezër, por mbi të gjitha është besim i drejtësisë vëllezër. Kushdo që na lëndon vëllezër, edhe ne do ta lëndojmë. Paqja e Zotit qoftë mbi ju”- ka theksuar një terroris. 
 
Videoja e “Shtetit Islamik” u shfaq vetëm një ditë pasi dega e “Al-Kaedas” në Jemen publikoi një tjetër mesazh, ku merrte përsipër rekrutimin e dy vëllezërve Kuashi dhe organizimin e sulmit në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” javën e kaluar. 
 
Nga ana tjetër, autoritetet amerikane kanë arrestuar një person në Ohajo, nën dyshimet se ka bërë komplot për të sulmuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
 
Sipas dokumenteve të gjykatës, Christopher Cornell, 20 vjeç, ka planifikuar të hedhë bomba pranë ndërtesës dhe të qëllojë punonjësit.
 
Ai ka rënë në vëmendjen e FBI-së pasi në rrjetet sociale ka shprehur mbështetje për grupet ekstremiste. Cornell, ka postuar në “Twitter” video dhe deklarata në mbështetje të “Shtetit Islamik”.
 
Ai ka qenë duke u hetuar qysh në muajin gusht dhe FBI ka thënë se publiku nuk ka qenë në rrezik gjatë procesit të hetimeve.
 
LEUNORA KALIQI