Botë
Begaj: SHBA e bëri Shqipërinë faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan
28.07.2022 13:37
Në veprimtarinë festive te 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara...

Në veprimtarinë festive te 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, Presidenti i ri Bajram Begaj u shpreh se dy vendet do të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin e tyre.
“Padyshim që rolin më të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhenieve e ka luajtur Presidenti Uillson. Ishte Presidenti Uillson që, me vizionin dhe përkushtimin e tij për një rend të ri botëror dhe një diplomaci të hapur, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe moscopëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte pikërisht kjo mbështetje e fuqishme që hodhi bazat më pas për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike si sot 100 vjet më parë. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.
Sot ne qendrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. SHBA janë jo vetëm pjesë e aspiratave të kombit tonë, por edhe garantë të arritjeve tona.Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë.
Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme”, u shpreh Begaj.
