Maqedoni
Xhaferi: Herët për ndryshime kushtetuese dhe referendum
28.07.2022 14:02
Është herët të komentohen paralajmërimet për ndryshimet kushtetuese dhe referendumin....

Është herët të komentohen paralajmërimet për ndryshimet kushtetuese dhe referendumin. Kështu vlerëson kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, sipas të cilit duhet pritur nëse dhe çfarë do t’i dorëzohet kuvendit për të sqaruar më pas procedurat. Gjatë një brifingu me gazetarë, Xhaferi tha se miratimin e ligjeve dhe akteve tjera e bllokojnë kryetarët e disa komisioneve e jo ai. Përderisa nuk kalojnë si pika në komisionet përkatëse, nuk mund të shqyrtohen në seancë plenare, dhe këtë duhet ta dinë qytetarët sqaroi Xhaferi teksa informoi edhe për ngjarjet e fundit me mungesën e kuorumit për seancat.
“Deputetët janë të detyruar që pasi të nënshkruajnë se kanë ardhur në kuvend, të hyjnë në sallë dhe të marrin pjesë në punë. Sigurisht që mund të hyjnë dhe të dalin, por duhet të jenë të pranishëm kur të merren vendimet. Është e palejueshme që të marrin shpenzimet e udhëtimit pa bërë asgjë, këtë duhet ta dinë qytetarët. Akoma më keq është që disa kryetarë partish që janë edhe deputetë nuk janë të pranishëm në seanca, të paktën kur merren vendime të rëndësishme për vendin, por thjesht nuk janë aty. Kjo situatë duhet të ndryshojë dhe ndoshta do të zgjidhet me rregulloren e re.”,- thotë Xhaferi.
I pyetur lidhur për deklarimin se do të ngritë iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit nëse ka aluduar për zgjedhje të parakohshme, ai tha se dihet çfarë pritet pas shpërndarjes së kuvendit por u shpreh decid se zgjedhje parlamentare nuk do të ketë. Në takimin me gazetarët, Xhaferi informoi se që nga fillimi i mandatit të tij janë mbajtur 83 seanca me 973 pika të rendit të ditës. Janë kryer 54 seanca, ndërsa nuk janë përfunduar 29 seanca me 80 pika të rendit të ditës.
NAIM RAMADANI
