Maqedoni

Stuhia e djeshme shkaktoi dëme në vend, rrufeja shkrumboi katër shtëpi në Prilep

28.07.2022 14:50

Stuhia që goditi mbrëmë vendin, e përcjellë me erë të fortë dhe reshje shiu, ka shkaktuar dëme përfshi rrëzimin e drunjve....

Stuhia që goditi mbrëmë vendin, e përcjellë me erë të fortë dhe reshje shiu, ka shkaktuar dëme përfshi rrëzimin e drunjve. Siç informojnë nga ndërmarrja publike “Parqe dhe gjelbërim”, gjatë natës ekipet kanë intervenuar në 25 lokacione në komunën e Aerodromit, Gazi Babës dhe Qendrës. Ekipet në terren kanë vijuar ehe sot me pastrimin e pjesës tjetër të lokacioneve, ku qytetarët raportojnë se janë rrëzuar degë dhe drunj të tërë. Gjatë stuhisë së djeshme në Prilep, rrufeja ka goditur një shtëpi dhe ka shkaktuar zjarr rreth mesnatës, i cili më pas është përhapur edhe në tri shtëpi fqinje.
 
“Ne po flinim, nëse nuk do të na zgjonte fqinji që të dalim do të digjeshim të gjithë. Këtu jemi 4 familje.”,- u shpreh një qytetar.
 
“Nënën time mezi e zgjova, sepse nuk ishim së bashku, dolëm shëndosh e mirë dhe pas disa sekondash gjithçka u shemb.”,- tha një qytetare.
 
Menjëherë është intervenuar me 10 vetura dhe 17 zjarrfikës të cilët kanë shuar zjarrin deri në orët e mëngjesit. 
 
“U dogjën 4 objekte të lidhura njëri me tjetrin. Tërë kulmi ishte në zjarr. Kishte vonesë nga ekipi i EVN-së rreth 25 minuta. Nuk kishte të lënduar nga zjarri.”,- deklaroi një zjarrfikës.
 
Gjatë natës ka rënë shi i dendur, i cili plotësisht e ka shuar disa zjarre, ndërsa që nga mëngjesi i hershëm ka ende shtatë deri në tetë pika të nxehta, ku vërehet tym por nuk ka djegie aktive, tha drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov.
 
“Në terren janë të pranishëm 27 persona, prej të cilëve 15 persona nga komuna e Vasilevës, tetë persona nga ekipi i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe katër persona nga pyjet kombëtare të Belasicës. Ata po mundohen të shuajnë këto tetë pika të cilat edhe pse nuk digjen, me rritjen e temperaturës gjatë ditës mund të fillojnë të digjen dhe të vazhdojnë zjarrin më tej.”,- tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.
 
Moti i keq vështirësoi edhe komunikacionin ku si pasojë e stuhisë lokale që goditi mbrëmë Kriva Pallankën dhe rrethinën, një kamion me targa shqiptare ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga, informojnë nga MPB. Meteorologët paralajmërojnë vazhdimin e valës tropikale në vend, me temperatura që do të lëvizin nga 32 deri në 39 gradë celsius. Megjithatë, mot jo i qëndrueshëm paralajmërohet për orët e pasdites dhe në shumë vende me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të forte, me kushte për shfaqjen e stuhive lokale. 
 
LEUNORA KALIQI