Maqedoni

Referendumi për kornizën negociuese, Kovaçevski: Për interesa partiake të VMRO-DPMNE

28.07.2022 15:12

Kryeministri Dimitar Kovaçevski kundërshtoi idenë e VMRO–DPMNE–së për referendum....

Kryeministri Dimitar Kovaçevski kundërshtoi idenë e VMRO–DPMNE–së për referendum. Sipas Kovaçevskit, VMRO–DPMNE këtë kërkesë po e shtron për interesa partiake dhe të shteteve të treta. Reagimi i Kovaçevskit para deputetëve erdhi pas pyetjes së deputetit të VMRO–DPMNE–së, Bojan Stojanovski, për të arsyetuar refuzimin e qeverisë për t’u ballafaquar me qytetarët.
 
“Politikën që ju po bëni duke mbrojtur interesa të shteteve të treta në këtë shtet, është gjëja më humbëse që dikush mund t’ua bëj qytetarëve të këtij shteti. Ju nuk dini se çfarë pyetje dëshironi në referendum. Ju dëshironi pyetjen: a jeni kundër anëtarësimit në BE me gjuhën e pastër maqedonase dhe identitet të mbrojtur? Për gjuhën e pastër, të vërtetuar tanimë po nënshkruhet marrëveshje për përkthim të legjislaturës së Maqedonisë me BE-në.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO: Ikni nga përballja me qytetarët
 
“LSDM ik nga referendumi, zgjedhjet dhe frikoheni nga populli. Ju e dini se propozimin që po shtyni me forcë, është i dëmshëm për Maqedoninë dhe nuk nënkupton asgjë më shumë përpos bullgarizimit të shtetit, andaj dhe po ikni nga referendumi.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE–së, Bojan Stojanovski.
 
Çështja e referendumit kundër kornizës negociuese përplasi edhe deputetët.
 
“Thoni se 68 deputetë kanë qenë për. Po, ashtu është, por ende kuvendi përpara është i rrethuar me barriera të hekurta dhe ne hyjmë nga mbrapa. Ende ata 68 deputetë progresiv, po shëtisin nëpër qytet me truproje dhe armë. Mos vallë ky është progresi?”,- deklaroi kordinatori i VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski.
 
Mitrevski: Manipuluat me qytetarët
 
“Kjo është një gënjeshtër e vërtetë, këtu keni dhe mediat. Turp është të gënjehen qytetarët. I gënjyet qytetarët se është marrëveshje e dëmshme dhe më në fund ikët, nuk votuat, nuk ka asnjë votë kundër. Ky është fakt.”,- tha koordinatori i LSDM–së, Jovan Mitrevski.
 
Pyetje deputetësh, Snopçe: Ministri Spasovski diskriminon gjuhën shqipe
 
Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, kritikoi ministrin e brendshëm Oliver Spasovski për mosrepesktim të gjuhës shqipe me përgjigjen e kthyer vetëm në gjuhën maqedonase. Gjatë fjalimit u ndërpre nga zëvendëskryetari i parlamentit Misovski.
 
“Ju keni shprehur mos-respekt zotëri Spasovski, nëse unë parashtroj në dy gjuhë edhe ju e keni obligim të më përgjigjeni në dy gjuhë. Dhe nga ana tjetër zotëri ministër të freskët e kemi gjithë së bashku se si e mbronim gjuhën maqedonase si pasojë e bllokadës bullgare.”,- theksoi deputeti i ASh-së Halil Snopçe.
 
“Zotëri Snopçe keni tjetër pyetje, e shoh përgjigjen, nuk ka të bëjë me këtë që ju po flisni.”,- u shpreh nënkryetari i Parlamentit, Goran Misovski.
 
Opozita kërkoi llogari nga qeveria edhe për spitalin privat “Zhan Mitrev”. Kryeministri Kovaçevski u kundërpërgjigj se pas marrjes së informacionit nga ministria e shëndetësisë do të veprohet ligjërisht në rast të evidentimit të parregullsive.
 
MERAL ISMAILI