Botë

Bullgaria shkon në zgjedhje parlamentare, Svilenski: Nuk arritëm shumicë

28.07.2022 15:28

Socialistët bullgarë i kthyen mandatin presidentit Rumen Radev për dy arsye....

Socialistët bullgarë i kthyen mandatin presidentit Rumen Radev për dy arsye: Për shkak se nuk patën sukses në sigurimin e shumicës për formimin e qeverisë dhe për faktin se nuk iu kaloi në parlament pika e rendit të ditës lidhur me programin për punën gjashtëmujore të kuvendit. Ata akuzojnë dy partitë bullgare “GERB” dhe “Ka popull të tillë” se qëllimisht mbajnë pezull krizën politike dhe e lënë shtetin në kaos.
 
“Përgatitëm program menaxhues dhe ua prezantuam katër partnerëve politikë të koalicionit, por për fat të keq në momentin e fundit nga partia “Ka popull të tillë” refuzuan përkrahjen dhe programi u tërhoq nga rendi i ditës në parlamentin bullgar. Ju informoj se grupi parlamentar i partisë socialiste solli vendim që të mos propozojë kandidat për kryeministër dhe t’ua kthejë mandatin.”,- tha deputeti i partisë socialiste bullgare, Georgi Svilenski.
 
Ninova: Radev pjesë e rrëzimit të pushtetit
 
Partia Socialiste me akuza drejt presidentit bullgar Radev se edhe ai është pjesë e  grupit që rrëzoi  pushtetin aktual.
 
“Personalisht e kam promovuar Rumen Radevin. Të dy mandatet ia ka borxh partisë socialiste. Qytetarët duhet ta vlerësojnë punën e tij si president.”,- theksoi kryetarja e Partisë Socialiste bullgare, Kornelija Ninova.
 
Radev: Deputetët të sillen me përgjegjësi
 
Ndërkohë presidenti Radev kërkon përgjegjësi nga deputetët dhe përpjekje për të gjetur zgjidhje politike.
 
“Dua ta shfrytëzoj rastin dhe të apeloj deri tek të zgjedhurit e popullit për përgjegjësi dhe nëse është e mundur që sot të gjejnë zgjidhje. Ju dëshiroj suksese politikanëve në zgjedhjet parlamentare në vijim.”,- tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Sipas rregullave, pas këtij epilogu presidenti bullgar duhet ta shpërndajë parlamentin dhe të caktojë datë për zgjedhjet e parakohshme. Si mundësi Radev ka përmendur 2 nëntorin për organizimin e zgjedhjeve. Stabiliteti  politik bullgar  ka shumë  rëndësi për vendin tonë në  vijimin e mirëfilltë të negociatave me BE-në, si dhe në veçanti në raportet  mbi detyrimet e palëve që dalin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Përkujtojmë se së fundmi Sofjes iu deshtë të përsëris tre herë zgjedhjet për shkak të pamundësisë së formimit të ekzekutivit.

NERMIN MULAKI FEJZULLAHU