Maqedoni
Brenda javës rritet për 55% numri i rasteve pozitive, Ollumçev: Gjendja nuk është alarmante
28.07.2022 15:44
Brenda një jave numri i rasteve pozitive me Kovid-19 në vend është rritur për 55,7%...

Brenda një jave numri i rasteve pozitive me Kovid-19 në vend është rritur për 55,7% në krahasim me një javë më parë, ndërsa përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit është mbi 42%. Rreth 100 pacient janë në trajtim spitalorë, ndërsa ambulancat janë të mbushura me Kovid pacientë, të cilët vështirë vijnë deri te termini për testim. Por, epidemiologu Ollumçev thotë se gjendja nuk është alarmante derisa spitalet janë të zbrazëta.
“Nuk jemi në pozitë të lakmueshme me nivelin e imunizimit prandaj çdo infektim do ta kemi në favor të krijimit të imunitetit për në vjeshtë, kur do të jenë në qarkullim edhe viruset tjera respiratore. Për imunitet kolektiv kemi disa opsione të vaksinohemi ose të infektohemi, ose të ndërtojmë imunitet hibrid me infektim dhe vaksinim.”,- tha epidemiologu, Sashko Ollumçev.
Ai thotë se në këtë periudhë të lëvizjes së turistëve dhe përhapjes së nënvarianteve të reja, është normale të ketë përhapje të virusit. Ollumçev pret që kjo valë infektimesh të fillojë të ndalet pas 20 gushtit.
“Kushdo që kthehet nga pushimi kërkon të testohet dhe pjesa më e madhe dalin pozitiv, por shërohen pas disa ditësh dhe kjo është mirë, por megjithate duhet të kemi kujdes.”,- theksoi Ollumçev.
Me gjithë shifrat në rritje tani për tani nuk ka masa të reja anti Kovid. Për gjendjen me pandeminë gjatë javës pritet të mblidhet sërish komisioni për sëmundje infektive.
VLORA LATIFI STOPOJANI
