Maqedoni
Padi ndaj drejtorit të Policisë Financiare, Muaremi: Sulme të inskenuara nga e njëjta qendër
28.07.2022 16:30
Në adresë të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është parashtruar padi penale ndaj drejtorit të Drejtorisë së policisë financiare....

Në adresë të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është parashtruar padi penale ndaj drejtorit të Drejtorisë së policisë financiare, Arafat Muaremi. Biznesmeni nga Dibra ka paditur Muaremin për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, maltretim në kryerjen e shërbimit dhe dhunë.
Ndërkohë, Arafat Muaremi në prononcimin me shkrim për TVM2 thotë se këto sulme janë të inskenuara dhe të pabaza dhe se të njëjta vijnë nga e njëjta qendër për të cilën tashmë po kryhen procedurat e duhura në drejtori, por edhe në institucione të tjera.
"Presim që sulme dhe presione të tilla të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për sa kohë që organet e mbikëqyrjes dhe kontrolleve po punojnë aktivisht për zbardhjen e zhvillimeve të fundit me kontrollin e paligjshëm në institucionin tonë. Qëllimi i këtyre sulmeve është më se i qartë. Megjithatë, në interes të zbardhjes së vërtetës, do të përmbahem nga komentet e mëtejshme për skenarë të tillë të paramenduar dhe do t'i lë institucionet kompetente të veprojnë sipas kompetencave të tyre."
Kallëzimi i ri publikohet në të njëjtën kohë kur drejtori i policisë financiare ka bërë parashtresë për kontroll të paligjshëm pas hyrjes së prokurorisë së Vilma Ruskovskës në Policinë Financiare.
FLORIJE BELULI KAMBERI
