Maqedoni

Volers: emri, “çelësi” i stabilitetit në vend dhe rajon

15.01.2015 16:00

Ambasadori i SHBA-ve, Pol Volers, para largimit nga Maqedonia porositi se pa u zgjidhur kontesti i emrit nuk mund të ketë një Maqedoni stabile dhe demokratike...

“Padyshim se çelësi për të lëvizur drejt BE-së dhe NATO-s është që të zgjidhet çështja e emrit dhe këtë të gjithë e dinë. Mendoj se është shumë me rëndësi që mos të dorëzohen, sepse e di se qytetarët janë të dëshpëruar, janë të shqetësuar për integrimin në BE dhe NATO  dhe duhet të jenë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim, dhe do të shohim se si do të rrjedhë procesi zgjedhor në Athinë dhe pas asaj do të shohim se çfarë mund të bëjmë ne. Unë jam optimist se do të ketë sukses, sepse nuk shoh alternativë tjetër, kjo është e ardhmja e Maqedonisë”- deklaroi ambasadori i SHBA-së, Pol Volers.
 
Ambasadori Volers këtë mesazh e dërgoi pas takimit lamtumirës me kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski.
 
Personalisht dhe zyrtarisht dua që Maqedonia të jetë e suksesshme, sepse kjo ka qenë politikë e SHBA-ve dhe kështu do të vazhdojë edhe me ambasadorin e ri në të ardhmen, deklaroi Volers.
 
Nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit njoftuan se Veljanovski ka kërkuar nga ambasadori Volers që të realizohen vizita më të shpeshta nga kongresmenët amerikanë dhe senatorë për bashkëpunim më të madh.
 
Bashkëbiseduesit ranë dakord se integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO është me rëndësi të madhe si për rajonin ashtu edhe për Evropën dhe duhet të vazhdohet me punë në këtë drejtim.
 
SANIJE KASAMI