Botë
Kuvendi i Kosovës, ratifikohet marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në
28.07.2022 17:47
Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, e cila u nënshkrua një ditë më parë në Uashington....

Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, e cila u nënshkrua një ditë më parë në Uashington. Marrëveshja është ratifikuar me votat e 89 deputetëve, të cilët ishin në sallë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se programi kompakt synon të stabilizojë furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
“Programi kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta, si dhe është shtyllë e marrëdhënieve strategjike dhe përherë më të fuqishme me SHBA-të. SHBA-të përmes korporatës së sfidave të mijëvjeçarit janë pajtuar që t’i japin Kosovës grand prej 202 milion dollarëve që është grandi më i madh i njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës.”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së e dëshmon partneritetin me Kosovës dhe ShBA-së.
“Është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e vendit, institucionet dhe komunitetin e biznesit, sepse në këtë mënyrë po rrisim kapacitetet tona në energji, por në të njëjtën kohë përforcojmë ekonominë tonë e cila me rritjen që ka dhe eksportet e shtuara natyrisht se do të ketë më tepër nevojë për energji. Kjo marrëveshje tregon lidhjen e pandashme me ShBA-të dhe mbështetjen që ka fokus shoqërinë dhe zgjidhjen e sfidave të kohës në qendër, duke pasur parasysh që siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë sot.”,- tha Mimoza Kusari Lila nga VV.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja milionëshe e nënshkruar me MCC-në nuk është meritë e Qeverisë Kurti, por se hise të meritave ka edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe se punë ka kryer edhe Qeveria Mustafa.
“Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Është fakt se e ka vonuar së paku dy vjet realizimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje ka filluar që në qeverinë Mustafa dhe presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshjeje. Kemi plotësuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatët ë kushteve për t’u kualifikuar.”,- u shpreh Abdulla Hoti nga LDK.
Programi Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh përqendrohet në çështjen e energjisë dhe u nënshkrua me një ceremoni në Kongresin Amerikan. Marrëveshjen e nënshkroi Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në praninë e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
ERSAN PAJAZITI
