Botë

Shqipëri-ShBA, 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike

28.07.2022 18:09

100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri - Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mblodhi bashkë krerët më të lartë të shtetit dhe diplomat të akredituar në Tiranë. Kryeministri Edi Rama tha se ky përvjetor e gjen Shqipërinë në pozita më strategjike që sipas tij do të sjellin ndryshim të dukshëm në rajon.
 
“Është nder e privilegj që kemi arritur kemi një marrëveshje. Kemi marrë një lajm nga Uashingtoni për propozim për thellim të marrëdhënies strategjike me SHBA. Shqipëria është baza politike e shteteve të bashkuara në rajon është epiqendra është fiks gjëja që Enver Hoxha luftoi 50 vjet që mos të ndodhte dhe shkoi ndodhi në ekstremin e asaj që ai donte të bënte.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
“Tashmë i lë fjalën ish-gjeneralit major dhe fatmirësisht Presidentit të ri.”,- theksoi më pas Rama.
 
“Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.”,- u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Urimin në këtë ditë, shqiptarëve ua përcolli vetë presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një video-mesazhi, ndjekur nga një përshëndetje e ish-presidentit George Bush.
 
“Në të ardhmen SHBA-të do të vazhdojnë që të qëndrojnë pranë Shqipërisë, ndërsa vendi forcon institucionet demokratike, lufton korrupsionin dhe përmbushi udhëtimin për t’iu bashkuar BE. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë gjithçka kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më shpresëdhënëse për fëmijët tanë.”,- u shpreh presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
 
Për krye-diplomaten amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në marrëdhëniet historike mes 2 vendeve kurrë nuk është vënë në plan të dytë mbështetja e sovranitetit të popullit shqiptar. 
 
LULJETA NDOKA