Maqedoni

Shkupi “zonë e kuqe” me infektime Covid, Sali: Jemi para pikut të ri, por pa panik

29.07.2022 12:07

Edhe pse rastet Covid po shënojnë rritje, Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali....

Edhe pse rastet Covid po shënojnë rritje, Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, qetëson se sistemi shëndetësor nuk është i ngarkuar, e nëpër klinikat infketive ka më pak se 100 persona të shtruar. 
 
“Nga përvoja me 4 valët e kaluara, seicila prej të cilave zgjaste nga 8 javë.  Ne jemi veçmë në javën e tretë, po hyjmë në të katërtën, kjo duhet të nënkuptojë se jemi para pikut me infektime të reja, por me Covidin asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt.”, tha Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Shkupi megjithatë vazhdon të jetë zonë e kuqe sa i përket infektimeve të reja e KSI ka plan në rast të përkeqsimit të situatës, i cili parasheh hapjen e 5 pikave në kryeqytet ku do të pranohen personat e infektuar me Covid. Në Shkup gjithashtu janë shtuar terminet për testime. 
 
Asnjë rast me linë e majmunëve në vend, Sali: ISHP ka në dispozicion teste valide
 
Sa i përket lisë së majmunëve, ende në vendin tonë nuk ka asnjë rast të regjistruar. Sali, siguron se sistemi shëndetësor është i përgatitur në rast të paraqitjes së saj.
 
“Instituti i Shëndetit Publik ka teste për dedektimin e një virusi të tillë. Sipas koordinatorit shtetëror të vaksinimit, ne kemi vaksina në dispozicion nëse shfaqet ndonjë rast i tillë.”, tha Sali.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë tashmë ka shpallur situatë emergjente në lidhje me linë e majmunëve. Në mbarë botën janë konfirmuar mbi 16 mijë raste.
 
VLORA LATIFI TOPJANI