Ekonomi

Energjia për ngrohje në Shkup, Bytyqi: Do të ofrohet në kohë

29.07.2022 15:11

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, u apelon shkupianëve të mos shqetësohen e sepse energjia...

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, u apelon shkupianëve të mos shqetësohen e sepse energjia për ngrohjen e amvisërive në Shkup, do të ofrohet në kohë. Më me rëndësi për momentin për të, është që procedura për zgjedhjen e operatorit të ri ekonomik për energji për ngrohje, të jetë transparente dhe të përfundojë në kohë. 
 
“Sipas Ligjit për Energjetikë, BEG duhet t’i përmbushë detyrimet e tij derisa nuk emërohet operatori i ri ekonomik. Deri para dy mbledhjeve të Qeverisë ishte obliguar Sekretariati i Përgjithshëm të shpallë procedurë për operator të ri ekonomik. A do të jetë ajo EMV ose cilido operator tjetër nuk mund të paragjykojmë.”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.
 
Bekteshi: Masa për të mbështetur kategoritë e rrezikuara
 
Qeveria paralajmëron edhe masa mbështetëse për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve që nuk kanë alternativë për ngrohje, përveç ngrohjes.
 
“Ministria e Financave tashmë po punon për hartimin e masave të tilla për të mbështetur kategoritë më të rrezikuara. Masat duhet të synojnë dhe po  synojnë familjet me të ardhura të ulëta.”, tha Ministri  i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. 
 
Ministrat ndërkohë njoftuan edhe për vendimin e qeverisë për dhënien e kontratave për ndihmë shtetërore sipas Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve të kompanive. Këtë vit do të nënshkruhen 280 kontrata të reja mbështetëse me kompani që hyjnë në cikle investimi prej rreth 145 milionë euro dhe do të krijojnë më shumë se 3700 vende pune në 5 vitet e ardhshme ose deri në përfundimin e kontratave të tyre. Ndërsa vetëm në vitin 2021, këto 280 kompani investuan rreth 50 milionë euro dhe krijuan mbi 1500 vende të reja pune
 
BELINDA KOKA ADEMI