Maqedoni

Izairi: stacione filtruese për vendbanimet me më tepër se 2000 banorë

15.01.2015 16:32

Ministria e Ekologjisë është në fazën përgatitore të projekt-ligjit për pastrimin e ujërave të zeza të kanalizimit në mbarë rajonin e Maqedonisë...

Ministria e Ekologjisë është në fazën përgatitore të projekt-ligjit  për pastrimin e ujërave të zeza të kanalizimit në mbarë rajonin e Maqedonisë, projekt ky që parashikohet të përfundojë deri në vitin 2030, njofton ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
 
Ai thotë se kjo ministri aktualisht ka në dispozicion një pjesë të mjeteve financiare nga fondet IPA, që do t’i shfrytëzohen për fillimin e vendosjes së  qendrave filtruese për ujërat e zeza dhe ndërtimin e sistemit të kanalizimit.
 
“Sipas ligjit, vendosja e stacioneve filtruese në nivel republikan kërkon një investim prej 750 milionë euro. Ne si ministri disponojmë me një pjesë të mjeteve, gjegjësisht me 100 milionë euro të thithura nga IPA fondet. Vendbanimet me më tepër se 2000 banorë patjetër duhet të kenë stacion filtrues”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
Nëse ligji do të miratohet, bashkë me të parashihet që të rritet edhe çmimi i tarifimit të ujit, duke aplikuar një praktikë të re për tarifim mbështetur në atë se ndotësit më të mëdhenj do të paguajnë më tepër, bën të ditur ministri Izairi.
 
VALBON BEXHETI