Maqedoni

Ndotja e ajrit, pasojë e shprehive negative të qytetarëve

15.01.2015 17:01

Numri i madh i automjeteve në komunikacion, drunj të njomë që përdorin qytetarët për të ngrohur shtëpitë e tyre...

Numri i madh i automjeteve në komunikacion, drunj të njomë që përdorin  qytetarët për të ngrohur shtëpitë e tyre, ndezja e mbetjeve të mobilieve, druri  dhe vajrat e ndryshëm që përdoren për ngrohje të auto-serviseve, të gjithë këto faktorë ndotin ajrin në vend dhe janë përditshmëri në vendin tonë.
 
Edhe pse disa reparte të Ngrohtores “Maksitl” në Shkup janë të mbyllura, në kryeqendër akoma nuk ka përmirësim të theksuar në këtë drejtim.
 
Nga Inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor informojnë se janë detektuar faktorët që ndikojnë në ndotjen e ambientit.      
         
“Prej terrenit kemi njohuri se qytetarët, por edhe auto-serviset shfrytëzojnë vajra të përdorura për ngrohjen e hapësirave. Po ashtu, në ndotjen e ajrit kontribuon edhe komunikacioni i stërngarkuar, automjetet e shumta dhe ngrohja e amvisërive. Kjo varet nga energjia të cilën e përdorin. Unë i bëj thirrje qytetarëve që të kenë kujdes së çfarë energjie përdorin për ngrohje, sepse nuk duhet të arsyetojmë aspektin social dhe të themi se nuk kemi para për të blerë dru dhe do të djegim mbetjet e  mobilieve, paletave apo parketeve”- deklaroi drejtori i Inspektoratit për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, Ferus Memed.
 
Në Maqedoni, prej ditës së djeshme është regjistruar tejkalim i ndotjes së ajrit. Nga inspektorati bëjnë me dije se pothuajse në të gjitha qytetet e vendit është kaluar kufiri prej 50 mikrogram në metër kub. 
 
Të anketuarit e TVM-2 pranojnë faktin se kontribuojnë në ndotjen e ajrit në vend, mirëpo rrallë kush prej tyre do të kishte ndryshuar shprehitë negative.            
                                                
“Edhe qytetarët kontribuojnë në ndotjen e ajrit, dikush më pak, dikush më shumë, por ka raste kur qytetarët përdorin energji joadekuate për ngrohje të shtëpive të tyre”- tha një qytetar.
 
“Duhet të ndalohen makinat të paktën gjatë vikendeve. Të bëjmë një përpjekje së bashku, që të mos ngihen makinat shumë të shtunën dhe të dielën dhe të përdoret  biçikleta si mjet transportues”- theksoi një qytetar.
 
“Unë s’do të besoja se dikush do të kishte lënë makinën për të shkuar në këmbë apo me biçikletë. Jemi dëshmitarë se sa automjete po lëvizin për momentin dhe në çdo makinë mund të shihet nga një person”- potencoi një qytetar.                    
     
Nga Inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor informojnë se në ditët në vijim do të kryejnë aksione të ndryshme në Shkup, për t’u konstatuar gjendja faktike në kryeqytet.
 
Ndërkohë, risi do të jetë edhe një aplikacion në telefonat celularë që do të tregojnë në çdo kohë nivelin e ndotjes së ajrit.  
 
REXHEP QAMILI