Botë

Droga e kapur në Elbasan dhe reagimet

15.01.2015 17:12

Ende pa u harruar operacioni antidrogë në Lazarat të Gjirokastrës, një tjetër bazë përpunimi, e cilësuar më e madhja në Ballkan, është zbuluar në rrethinat e qytetit të Elbasanit...

Operacioni ka sjellë arrestimin e 11 personave, ndër të cilët edhe nipi i ish-diktatorit, Enver Hoxha dhe 2 kolumbianë.
 
121 kilogramë është sasia e kokainës së sekuestruar, si dhe disa qindra mijëra euro. 
 
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pas inspektimit të laboratorit deklaroi se ai ishte më i madhi në Ballkan dhe se policia e shtetit do të vazhdojë punën për të zhdukur trafikun e drogës.
Reagimet nga politika, por edhe nga familjarët e ish-diktatorit kanë qenë të shumta.
 
Ndërsa Rama ka vlerësuar në maksimum operacionin në rrjetet sociale, ish-kryeministri Berisha deklaroi se baroni i drogës, Ermal Hoxha, ka lidhje të drejtpërdrejtë me Edi Ramën. Përpos kësaj, Berisha e vlerësoi Policinë e Shtetit.
 
Ndërsa prindërit e Ermal Hoxhës, Ilir dhe Teuta Hoxha, duke folur për pafajësinë e të birit, u shprehën se arrestimi është bërë me qëllim diskreditimin e figurës së ish-udhëheqësit, Enver Hoxha.
 
Sipas policisë, nëse do të hidhej në treg kokaina e sekuestruar, do të kapte vlerën e rreth 40 milionë eurove.
 
LULJETA NDOKA