Maqedoni
Kuvend, migrimi përplasi partitë shqiptare
15.01.2015 17:24
Miratimi i Projekt-rezolutës për Migrim ka përplasur BDI-në dhe PDSH-në...

Derisa nga BDI vlerësojnë se shteti po përpiqet që t’i japë një përgjigje institucionale migrimit me qëllim që ta parandalojë atë, këta të fundit akuzuan pushtetin se jo vetëm që nuk ka strategji për të ndaluar eksodin e qytetarëve, por përkundrazi, me politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve po stimulon akoma më shumë shpërnguljen e tyre.
“Për shqiptarët shifrat janë alarmante, ku sipas disa të dhënave arrijnë në mbi 300 mijë shqiptarë që kanë emigruar. Ky dokument nuk paraqet gjë tjetër përveçse vazhdimësi dhe modifikimin e dokumenteve dhe strategjive famëkeqe, që historikisht janë hartuar për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike siç janë”- deklaroi deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliu.
“Kjo akuzë bëhet për qëllime politike, është pjesë e retorikës së pranueshme opozitare. Lëvizja e popullatës bëhet jo në baza etnike, por si shqetësim i përgjithshëm. Një aspekt shumë pozitiv, pjesë e kësaj strategjie është qëllimi që të gjithë shtetasit e Maqedonisë, që jetojnë jashtë apo kanë lindur jashtë dhe nuk janë të pajisur me dokumente shtetësie, të pajisen me këto përmes përfaqësive diplomatiko-konsulare të Maqedonisë”- tha deputeti i BDI-së, Ermira Memeti.
Sipas “Eurostat”, në vitin 2013, në vendet e BE-së janë evidentuar rreth 197 mijë qytetarë të Maqedonisë, ndërkaq sipas të dhënave të Bankës Botërore rreth 174 mijë qytetarë të vendit gjenden në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re.
NAIM RAMADANI
