Maqedoni

Izairi i kërkon gjykatës të mbyllë “Jugohromin”

15.01.2015 17:33

Mbyllje të “Jugohromit”, pasi kjo kompani shkeli marrëveshjen me qeverinë dhe vuri sërish në funksion furrën e shtatë...

Ky është dënimi maksimal që kërkon Inspektorati i Ministrisë së Ambientit Jetësor nga Gjykata e Tetovës.
 
Ministri Izairi kërkon dënim edhe për udhëheqësin e “Jugorhormit” për këtë shkelje.
 
“Përfaqësuesit e “Jugohromit” kanë bërë thyerje të ligjit dhe vendimit të Inspektoratit të Ambientit Jetësor dhe pa lejen e Ministrisë dhe Inspektoratit të Ambientit Jetësor e kanë bërë lëshimin e furrës numër shtatë, e cila ka qenë me vendim e mbyllur dhe nga ana e inspektoratit i është dhënë Gjykatës së Tetovës masa, ku është kërkuar dënim maksimal për kompaninë, dënim gjithashtu maksimal sipas Ligjit të Ambientit Jetësor për udhëheqësin e kompanisë dhe mundësinë për mbylljen që këtë vendim duhet ta marrë Gjykata e Tetovës”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Furra e shtatë e “Jugohromit” është mbyllur në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa duke e thyer marrëveshjen, “Jugohrom” ka aktivizuar furrën më 13 janar.
 
Ky hap ka bërë që ndotja e ajrit të arrijë maksimumin. Ajri i ndotur tanimë për një kohë të gjatë ka shkaktuar reagime te tetovarët, përfshi edhe  Shoqatën Ekologjike “Eco Guerila”.
 
MERAL ISMAILI